Prokuroria përzien veteranët e vërtetë me ata mashtrues

Kronika September 18, 2018 - 08:12
Lexoni më shumë detaje
Image

Përfshirja e veteranëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në listën e veteranëve mashtrues ka ngjallur reagime të shumta nga ta, emrat e të cilëve janë pjesë e kësaj liste. Një ditë pas publikimit të listës Prokuroria e Shtetit ka dalë me një komunikatë, në të cilën ka sqaruar futjen e veteranëve të vërtetë në listat e veteranëve të rrejshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Prokuroria nuk e mohon se kanë ndodhur lëshime gjatë hetimeve dhe grumbullimit të informacioneve në hetimin e veteranëve të rrejshëm, duke shtuar se emrat e veteranëve të vërtetë do të tërhiqen nga kjo listë.

LEXO EDHE: Grupi Punues për Vizat, javën tjetër në Kosovë

“Gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve, si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t’i propozohet Gjykatës që në bazë të dokumentacionit të rishikuar ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë, shkruan më tutje "Zëri".

Madje Prokuroria e Shtetit në sqarimin e saj bën të ditur se edhe ish-pjesëtarët e vërtetë të UÇK-së, të cilët janë në marrëdhënie pune në sektorin publik ose privat nuk kanë të drejtë të marrin pensione të veteranit dhe kjo sipas Prokurorisë ka bërë që në këtë listë të jenë të përfshirë edhe veteranë të vërtetë. 

“Në Nenin 16, paragrafi 4 i Ligjit për Veteranët e Luftës është e paraparë që veteranët e UÇK-së, të cilët janë të punësuar në sektorin publik ose privat nuk kanë të drejtë të përfitimit pasuror, gjithashtu edhe personat të cilët janë në kategorinë si pjesëtar i UÇK-së, ose në kategorinë pjesëmarrës i luftës, me ligj nuk i takon e drejta për pension personal të veteranit luftëtar dhe kjo ka qenë arsye pse disa nga ta janë përfshirë në aktakuzë si përfitues të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Rritja e numrit prej 19060 përfituesve në 20238 përfituesve, sipas Prokurorisë është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokuroria e që sipas këtij organi hetues është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteranë luftëtarë të UÇK-së, siç është përcaktuar me ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe janë nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim.

Prokuroria sqaron se kjo aktakuzë nuk ka të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me vlerat e saj, por është aktakuzë e paraqitur kundër zyrtarëve që kanë vepruar në kuadër të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe për verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së.

Qëllimi i kësaj procedure, sipas Prokurorisë së Shtetit, nuk është vetëm ndëshkimi i kryerësve të kësaj vepre penale, por edhe mbrojtja e vlerave sublime të UÇK-së, angazhimi dhe kontributi i tyre i çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës.

Kadrijaj: Blakaj s’paska ikur ngaqë ka qenë i kërcënuar, por e paska bërë me prapavijë këtë aktakuzë

Njëra nga veteranet e UÇK-së, emri i së cilës është futur në listën e veteranëve mashtrues, është edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.

Kadrija thotë se është befasuar kur e ka parë emrin e saj te veteranët mashtrues. Ajo pohon se ka fakte që e dëshmojnë se ka qenë pjesë e UÇK-së.

Kadrijaj thotë se tash e ka kuptuar se çfarë pune ka bërë prokurori Blakaj, i cili është munduar të viktimizohet se ka qenë i kërcënuar, duke bërë lista të pavërteta.

“Ajo listë qysh po quhet është lista që e ka formuluar prokurori Blakaj, por në atë listë nuk jam vetëm unë, ka edhe shumë ushtarë të tjerë të devotshëm që gjenden aty edhe është për befasi. D.m.th. prokurori Blakaj s’paska ikur ngaqë ka qenë i kërcënuar, por e paska bërë me prapavijë ose me dirigjim. Nuk mund ta di as nuk mund t’i them kujt ta bëjë gjithë këtë kaos në Kosovë”, shprehet Kadrijaj.

Ajo kërkon që emri i saj të hiqet nga ajo listë. Kadrijaj pohon se edhe pse është veterane asnjëherë nuk ka marrë asnjë përfitim për faktin se ka qenë në marrëdhënie pune dhe statusin e veteranes e ka vetëm si status moral.

“Prokurori kurrë nuk më ka intervistuar për këtë çështje. Është e padrejtë sepse nëse prokurori do të ofrojë dëshmi duhet ta gjejë personin e ta marrë të dhënën e saktë, ta dëshmojë dhe nuk besoj që është dikush i cili mund të thotë që Time Kadrijaj s’ka qenë në luftë ose s’ka operuar gjatë periudhës së luftës”, ka  thënë ajo.

Gucati: Publikimi i kësaj liste është shkelje e të drejtave të njeriut

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e quan shkelje të të drejtave të njeriut publikimin e  këtyre listave.

Kjo sipas tij është dobësia më e madhe që mund të bëhet.

“Unë mendoj që Prokuroria ka bërë shkelje me publikimin e emrave, të përzihet në privatësinë e personave të caktuar. Është shkelje e drejtave të njeriut, nuk ka të drejtë ta qesë emrin në publik pa u dënuar njeri”, është shprehur Gucati.

Ai kërkon nga Prokuroria ta rishikojë edhe një herë mirë pjesën e veteranëve.

“Këto lista nuk janë lista reale dhe mua më vjen keq prej prokurorit ose prej Prokurorisë Speciale që ka bërë këso lojërash dhe i ka qitur këto lista publike, duke e ditur që janë shtuar listat dhe shumica e tyre janë ish-pjesëtarë të vërtetë të UÇK-së. Unë kërkoj nga Prokuroria Speciale që sa më shpejt t’i qesë listat e vërteta të veteranëve mashtrues dhe t’i heqë shokët tanë që i ka bërë pjesë të veteranëve mashtrues”, ka thënë ai.

Ndërkohë në listën e veteranëve mashtrues të publikuar të dielën përveç deputetes Time Kadrijaj janë përfshirë edhe shumë emra të ish-ushtarëve të vërtetë të UÇK-së, siç janë Kujtim Bali Gashi, nga Zona Operative e Dukagjinit dhe këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për kategoritë e dala nga lufta Gazmend Syla. 

Të premten Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 peronave, ish-anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, si dhe Xhavit Jashari.