Prokuroria mbyll hetimet për aksidentin e policëve Dashi dhe Trena

Kronika September 14, 2018 - 18:17
Lexo tjera detaje
Image

Pesë muaj pas aksidentit, ku mbetën të vdekur dy policët, Malsor Dashi dhe Armend Trena, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka mbyllur hetimet.

Rasti sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari është mbyllur pasi në bazë të gjitha provave që ka grumbulluar prokuroria, ka dal që rasti ka qenë vet aksident dhe nuk ka ndonjë dyshim për përfshirje të dikujt në këtë aksident, shkruan Gazeta "zëri".

“Sa i përket rastit të policëve është mbyllur rasti. Në bazë të provave që kemi siguruar ka rezultuar se ka qenë  vet aksident në komunikacion, asgjë tjetër” është shprehur ai.

Rasti  sipas kryeprokurorit është mbyllur gjatë kësaj jave. Jashari ka pohuar se të gjitha dëshmitë kanë treguar se vdekja e policëve, Dashi dhe Trena nuk ka të bëj me asgjë tjetër, përveç se një vet aksident.

“Më 11 shtator është mbyllur ky rast dhe pas intervistimit të të gjithë dëshmitarëve të mundshëm, përfshirë policët që kanë qenë në ndërrim atë natë,  personin të cilin policët e kishin shoqëruar në arrest shtëpiak, personin që ka qenë i pari në vendin e ngjarjes, edhe në bazë të ekspertizave, raportit për gjendjen teknike të automjetit, të gjitha këto  dëshmi kanë rezultuar se ka qenë vet aksident”, është shprehur Jashari. 

Ndryshe, dy zyrtarët policorë Malsor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar më 28 prill rreth orës 20:45 në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik. Aksidenti kishte ndodhur tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarët  policorë, për shkaqe të panjohura kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc. Njësitet e ndryshme hetimore dhe ato të kërkim-shpëtimit për javë të tëra kishin bërë kërkimet për gjetjen e trupave të tyre./ZËRI