Kronika

Ish-prokurori Blakaj i gëzohet aktakuzës për rastin 'VETERANËT'

Ish-prokurori Blakaj i gëzohet aktakuzës për rastin 'VETERANËT'
14 shtator 2018 • 17 : 28

Lexo tjera detaje

Image

Ngritja e aktakuzës ndaj 12 ish- krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve , të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë që ndërlidhet me fryrjen e listave të veteranëve, ka gëzuar shumë ish prokurorin e Prokurorisë Speciale (PSRK), Elez Blakaj.

Ajo që Blakaj la në gjysmë muaj më parë, sot u vulos nga një prokuror tjetër i kësaj prokurorie, Afrim Shefkiu. Gazeta ka kontaktuar ish-prokurorin Blakaj për të marr qëndrimin e tij pas ngritjes së kësaj aktakuze. Ai shkurt ka deklaruar se secili luftëtar i UÇK-së duhet t’i gëzohet kësaj aktakuzë. “Çdo person që e donë sado pak vendin tonë, çdo ushtarë luftëtar i UÇK-së do t’i gëzohet këtij lajmi. “Gjerat duhet të ecin përpara”, është shprehur shkurt Blakaj për “Zëri”.

Ndërkohë Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur sot aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë. Sipas njoftimit të kësaj prokurorie aktakuza është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK. Në aktakuzë sipas njoftimit të prokurorisë, është propozuar që gjykata të lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale. PSRK-ja bën të ditur se nga pagesat që i janë bërë veteranëve të rrejshëm, buxheti i Kosovës është dëmtuar deri në 68 mijë euro.

“Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro”, thuhet në njoftim. Në një pjesë të aktakuzës që ishte publikuar pas ikjes së Blakajt, thuhej se të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Blakaj ka një muaj që ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special, pas kërcënimeve që kishte marr si pasoj e hetimit të këtij rasti. Blakaj pas dorëheqjes përmes një letre të publikuar në faqen e tij në Facebook, kishte deklaruar se ishte qortuar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi për intervistimin e krye-parlamentarit Kadri Veseli në cilësinë e dëshmitarit në rastin e mashtrimit të listave të veteranëve.

Ish-prokurori kishte deklaruar se ishte ndjerë i vetëm në këtë rast dhe duke e parë të pamundur procedimin tutje të këtij rasti kishte vendosur të jap dorëheqje.

© zëri.info