Kosovari i ekstraduar nga Gjermania që planifikonte sulme, del para gjykatës në Prishtinë

Kronika September 14, 2018 - 13:21
Lexo detajet

Është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë kosovari Bujar Behrami, i arrestuar në qershor të këtij viti në Gjermani, nën dyshimet për vepra terroriste, transmeton Gazeta Express.

Ai në këto momente do të dalë para gjykatës në pallatin e drejtësisë, ku do t’i caktohet masa e paraburgimit.

Bujar Behrami u kap me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në të njëjtën kohë kur po arrestohej Behrami në Gjermani, Policia e Kosovës ishte në aksion në dy qytete të ndryshme në Kosovë për të kapur tre bashkëpunëtorë të tij, transmeton Express.

Resim Kastrati dhe Albert Ademaj, të dy nga Prizreni, bashkë me Leutrim Musliun nga Skenderaj, dyshohen se nën urdhrat e Behramit po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë. Cak të sulmeve dyshohen se kishin hapësirat publike dhe institucionet qendrore në vend.

Behrami dyshohet se planifikonte të kryente, në të njëjtën kohë, veprim të ngjashëm terrorist në Gjermani.