Sami Lushtaku e gjashtë të tjerë dalin para Gjykatës për tenderin milionësh

Kronika September 14, 2018 - 09:51
Lexo detajet

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë personave të tjerë të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Gjatë kësaj seance gjyqësore pritet që të akuzuarit ta japin mbrojtjen.

Të akuzuar për këtë tender janë ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit.