Qalaj paralajmëron ndryshime tjera në Policinë e Kosovës

Kronika September 14, 2018 - 08:05
Lexo detajet
Image

Shkarkimi i drejtorit të Departamentit për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Igrishta, dhe  vendosja e tij si kapiten në Mitrovicë nuk është ndryshimi i vetëm që i pari i Policisë, Rashit Qalaj, ka bërë pas ardhjes së tij në këtë pozitë. Ai për “Zërin” ka treguar edhe ndryshimet tjera që janë bërë në disa drejtori, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ardhja e drejtorit të ri në krye të Policisë së Kosovës ka sjellë shumë ndryshime në strukturën policore. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka paralajmëruar ndryshime në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë. 

LEXO EDHE: Mungesa e kuorumit i ndjek seancat e Kuvendit

I pari i Policisë në një prononcim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lajmin për shkarkimin e drejtorit të Departamentit për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Igrishta, dhe  për vendosjen e tij si kapiten në Mitrovicë.

Mirëpo, Qalaj ka thënë se ky nuk është ndryshimi i vetëm që është bërë në strukturën policore.

 Ndryshimet në Policinë e Kosovës, sipas tij, kanë përfshirë edhe shumë drejtori tjera. “Këto lëvizje janë bërë për shkak të nevojave të njerëzve që janë promovuar, janë lëvizje të rregullta si proces i gradimit edhe kjo është arsyeja pse janë bërë gjitha lëvizjet në Policinë e Kosovës dhe jo vetëm një-dy, por shumë më tepër.

Pasi janë graduar dhe nuk kanë pasur të caktuar në strukturë, normal që është caktuar të punojnë në një ndër institucionet kryesore të vendit”, ka thënë Qalaj për “Zërin”. 

Disa drejtorë, të cilët sipas Qalajt, janë graduar kanë mbetur në pozitën që kanë pasur.

“Bahri Shala është drejtor i Njësisë Anti-Drogë dhe sipas strukturës organizative është e paraparë që ai të ketë pozitën e nënkolonelit. Shala është graduar për nënkolonel dhe normal që qëndron në pozitën që ka qenë. Mirëpo kemi shumë persona që janë graduar për kapitenë, pasi për kapitenë ka qenë numri më i madh i gradave, të cilët nuk kanë pasur vend ose është dashur të lëvizin për shkak të nevojave operative të shërbimit dhe këtë e kemi bërë”, është shprehur Qalaj. 

I pari i Policisë së Kosovës tregoi edhe disa nga ndryshimet që janë bërë në disa drejtori. “Janë prekur të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë, pasi ka pasur p.sh. në Drejtorinë e Policisë në Ferizaj janë graduar dy kapitenë, ndërsa ka pasur vend vetëm për njërin, kështu njëri është caktuar në Ferizaj dhe tjetri është caktuar në një vend tjetër në nivel të shtabit qendror.

Në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës kemi graduar disa kapitenë dhe po ashtu kemi dërguar disa kapitenë nga shtabi qendror që do të veprojnë në vendet e lira në stacionin policor”, ka treguar ai.  Qalaj ka thënë se edhe Gjakova është përfshirë në këto ndryshime.

Sipas tij, edhe në Drejtorinë Rajonale në Gjakovë janë caktuar disa njerëz, p.sh. njëri nga majorët që është graduar në Prizren, për shkak se nuk ka pasur vend në Prizren është dërguar në Gjakovë. 

Ndërkohë ndryshimet që po bëhen në Policinë e Kosovës po mirëpriten nga njohës të çështjeve të sigurisë. Ata pohojnë se Policia e Kosovës ka pasur nevojë për ndryshim të strukturës së saj.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ndryshimet të cilat po i bën drejtori i ri i quan një veprim i duhur në kohën e duhur.

Kjo sipas tij, duke pasur parasysh strukturën aktuale të Policisë së Kosovës, e cila për nga mosha është e vjetër. Shala shprehet se edhe mbajtja e pozitave nga eprorë të caktuar, të cilët janë më shumë se një dekadë në një pozitë, ka qenë e domosdoshme të ndryshohet.

“Unë mendoj që në këtë fazë dhe në këtë kohë është e domosdoshme të ketë ndryshime substanciale për ta dërguar më tutje procesin në të cilin ka hyrë Policia e Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe të terrorizmit”, është shprehur ai.

Sipas tij, udhëheqësit e mëparshëm të Policisë nuk kanë bërë ndonjë ndryshim themelor në strukturën e saj dhe për këtë ky institucion ka pasur nevojë për një ristrukturim.

“Unë mendoj se udhëheqësit e deritashëm të Policisë së Kosovës nuk kanë bërë ndonjë ndryshim substancial. Unë mendoj se tani për tani drejtori i ri i Policisë së Kosovës e ka marrë një iniciativë të duhur, që të vlerësohet performanca e çdo punonjësi të saj dhe të ristrukturohet komplet struktura e Policisë së Kosovës”, ka pohuar Shala.  

Ditë më parë Policia e Kosovës ka festuar 19-vjetorin e themelimit të saj, ku gjatë ceremonisë u graduan pesë nënkolonelë, katër majorë e 57 kapitenë.