Kontestohet raporti për vrasjen në AKI

Kronika September 13, 2018 - 08:13
Lexoni më shumë detaje
Image

Komisioni për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk është i kënaqur me raportimin e inspektorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, raportimi i inspektorit të përgjithshëm të AKI-së ishte shumë i mjegulluar, jo i saktë për atë që ka ndodhur ditën kur ka ndodhur vrasja, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, ka raportuar të mërkurën para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së për vrasjen që ka ndodhur në këtë institucion javën e kaluar, ku punëtori i bufesë Isa Sejdiu mbeti i vrarë nga zyrtari i sigurimit të brendshëm në këtë agjenci, Valon Ibërdemaj.

Megjithatë, Komisioni nuk është i kënaqur me këtë raportim, shkruan më tutje "Zëri".

Ky Komision ka ftuar në raportim edhe drejtorin e AKI-së Shpend Maxhunin.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka pohuar se Komisioni nuk ka kërkuar shkarkimin e askujt.

Musliu ka thënë se Komisioni vetëm ka kërkuar përgjegjësi dhe për këtë në mbledhjen e radhës ka kërkuar që të raportojë edhe drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni.

“Ne nuk vendosim për ngarkimin ose shkarkimin e tyre, ne mundemi vetëm të rekomandojmë. Vullneti ynë është të lypim përgjegjësi, ne kemi me thirrur edhe Shpend Maxhunin si drejtor të AKI-së dhe sot nuk është marrë asnjë vendim për ndonjë rekomandim. Ne mundemi vetëm të rekomandojmë, jo të vendosim për shkarkim”, është shprehur Musliu për “Zërin”.

Por, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e kësaj Agjencie janë të pakënaqur me raportimin e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së, pasi sipas tyre ky raport kishte shumë paqartësi.

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Shemsi Syla, ka theksuar se raporti ishte jo i saktë dhe i mjegullt. Sipas tij, ende janë të paqarta motivet se si ka ardhur deri te vrasja.

“Ne kërkuam edhe përgjegjësi, edhe ndriçim të rastit, pasi për ne është si e mjegulluar, nuk ka raport të saktë dhe të përpiktë me gjithë atë që ka ndodhur. Duke mos e sqaruar mirë dhe duke mos i pasur të gjitha informacionet dhe motivet e rastit ne kërkuam që dikush të japë llogari në atë drejtim, t’i përgjigjet asaj përgjegjësie që ka dhe njëkohësisht kërkuam që të raportojë edhe vetë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni”, u shpreh Syla.

Ai pohon se dikush nga krerët e këtij institucioni duhet të japë llogari për atë që ndodhi një javë më parë në objektin e këtij institucioni.

Sipas tij, duhet të dalë dikush nga AKI-ja të japë dorëheqje nga posti, duke e ndier veten fajtor për atë që ka ndodhur.

“Ai në formën e vet na e dha sqarimin, por që nuk na dha një raport të gjerë, të mirëfilltë dhe nuk ka llogari e përgjegjësi askush në atë drejtim. Ne duhet të kemi edhe sqarime të tjera, të kemi hollësi me të cilat do ta identifikonim problemin dhe njëkohësisht të kërkonim llogari që nga instancat të përgjigjet dikush, së paku edhe moralisht të dalë dikush të japë dorëheqje nga posti, duke e ndier veten fajtor për atë që ka ndodhur”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Komisioni ende nuk i ka të gjitha detajet dhe përderisa nuk i ka kërkon edhe përgjegjësi dhe sqarime edhe nga të tjerët dhe raport të detajuar me motivet e rastit siç ka ndodhur.                                                                                     

Ndryshe, në fillim të këtij muaji Isa Sejdiu, punëtor në bufenë e AKI-së, ishte privuar nga jeta në vendin e tij të punës pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga zyrtari i sigurimit të brendshëm në këtë agjenci, Valon Ibërdemaj. Ishte raportuar se arma me të cilën ishte qëlluar Sejdiu ishte pa leje.

Sejdiu ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Prishtinë (QKUK), mirëpo nga plagët e rënda nuk kishte arritur të mbijetojë.

Ende janë misterioze motivet që kanë shtyrë të dyshuarin të qëllojë drejt kolegut të tij.                                                                                                       

Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin.