Komisioni Parlamentar kërkon raport për vrasjen në AKI

Kronika September 11, 2018 - 08:10
Lexoni më shumë detaje
Image

Derisa ende kanë mbetur mister motivet e vrasjes që ndodhi një javë më parë në institucionin me sigurinë më të lartë në vend, në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Komisioni për Mbikëqyrjen e kësaj Agjencie kërkon informacione konkrete dhe përgjegjësi nga krerët e AKI-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një javë pas vrasjes së punëtorit të bufesë Isa Sejdiut nga zyrtari i sigurimit të brendshëm në AKI, në objektin e kësaj agjencie, Valon Ibërdemaj, Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkojë llogari nga përgjegjësit e këtij institucioni për ngjarjen tragjike që ka ndodhur brenda objektit.

LEXO EDHE: Limaj: Jam i gatshëm t’ia dorëzoj dialogun opozitës

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, i ka thënë gazetës Zërise nuk mund të deklarohet rreth vrasjes që ka ndodhur në këtë institucion pasi është në pritje të raportimit të inspektorit.

“Të mërkurën e kemi mbledhjen e Komisionit Parlamentar, ku kemi ftuar inspektorin për të na raportuar për ngjarjet që do të zhvillohen dhe pika e parë e rendit të ditës do të jetë kjo temë. Derisa të përfundojë mbledhja nuk mund të shtoj asgjë rreth këtij rasti”, është shprehur Musliu.

Syla: Kërkojmë përgjegjësi në këto lëshime që janë bërë

Ndryshe nga Musliu, anëtari i këtij Komisioni Shemsi Syla thotë se krerët e AKI-së duhet të japin përgjegjësi për ngjarjen tragjike.

Sipas tij, krerët e këtij institucioni janë ftuar për të dhënë informacione rreth kësaj ngjarjeje.

“Sa ishte e dhimbshme, sepse humbi një jetë e njeriut, është edhe e patolerueshme, por edhe shumë përgjegjësi forma, mënyra sesi ka hyrë arma në institucionin më të lartë të sigurisë, në institucionin më përgjegjës. Vërtet ishte tronditëse kjo çka ka ndodhur, është përgjegjësi e jashtëzakonshme e kreut, por edhe e të tjerëve që kanë përgjegjësi në atë institucion”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Komisioni Parlamentar për Përcjellje të AKI-së ka shprehur gatishmërinë që t’i thërrasë njerëzit kompetentë të kësaj agjencie për të sqaruar dhe për të dhënë informacione konkrete lidhur me rastin tragjik që ka ndodhur.

“Për ne është dhimbje e madhe humbja e një njeriu të ri, merre me mend, në një objekt ku siguria është në nivelin më të lartë në vend. Ne kemi kërkuar nga kreu i AKI-së që njerëz përgjegjës të vijnë dhe të sqarohen, të shikojmë çfarë na ndodhur, kërkojmë informacion dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi në këto lëshime që janë bërë që ka ardhur deri te rasti tragjik”, është shprehur ai.

Gazeta ka provuar të kontaktojë drejtorin e AKI-së Shpend Maxhunin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.                                                                                                                                       

Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj, nuk ka dashur të komentojë atë që ka ndodhur në këtë institucion, duke u arsyetuar se pasi nuk është më pjesë e këtij institucioni edhe nuk është kompetent.

“Unë nuk jam më pjesë e Agjencisë, janë njerëzit kompetentë atje. Krejt i di, por nuk jam më kompetent për t’i komentuar ato çka ndodhin në AKI”, ka thënë ai.

Na anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se krerët e Inteligjencës nuk mund të bartin përgjegjësi për vrasjen, e cila sipas tyre nuk ndërlidhet me natyrën e veprimit të AKI-së.

Shala: Drejtori i AKI-së nuk mund të bartë asnjë përgjegjësi për këtë vrasje

Njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë Drizan Shala thotë se kreu i Inteligjencës Shend Maxhuni, i cili ka disa muaj që është emëruar në krye të këtij institucioni, nuk mund të bartë përgjegjësi për vrasjen që ka ndodhur në AKI ditë më parë.

Sipas Shalës, vrasja që ka ndodhur në këtë institucion nuk ndërlidhet me natyrën e veprimit të AKI-së.

“Drejtori i ri i AKI-së nuk mund të bartë përgjegjësi për këtë veprim, sepse nuk ndërlidhet asgjë me natyrën e veprimit të këtij institucioni, por kryesisht motivet ndërlidhen mbi baza personale dhe asnjë drejtor ose nivel menaxherial nuk mund të parashikojë një veprim të motivuar mbi baza mendore individuale të punonjësve. Ky veprim nuk e ka humbur ose zbehur kretibilitetin e institucionit në fjalë”, është shprehur Shala.

Sipas tij, AKI-ja ka sigurinë më të lartë që mund të këtë një institucion brenda Republikës së Kosovës, sepse sipas tij lidhur më rastin që ka ndodhur brenda objektit nuk do të thotë që ka rënë siguria e objektit në fjalë.

“Sepse vrasja e bërë brenda objektit është kryer nga një punonjës i divizionit të sigurimit të objektit mbi motive private dhe vetëm punonjës të këtij divizioni kanë të drejtë të bartin armën dhe kjo vë në prag që vrasja nuk është kryer nga një qytetar i rëndomtë, sepse ata nuk kanë qasje në objekt”, ka thënë Shala.

Ndërkohë, disa orë pas ngjarjes tragjike AKI-ja kishte dalë me një deklaratë për medie, ku kishte sqaruar se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së, duke shtuar se me hetimin e këtij rasti po merren organet kompetente.

Ndërsa të enjten Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Valon Ibërdemaj.                                                                    

Ndryshe, në mëngjesin e së martës Isa Sejdiu, punëtor në bufenë e AKI-së, ishte privuar nga jeta pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga zyrtari i sigurimit të brendshëm në këtë agjenci, Valon Ibërdemaj.

Sejdiu ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Prishtinë (QKUK), mirëpo nga plagët e rënda nuk kishte arritur të mbijetojë.

Ende janë misterioze motivet që kanë shtyrë të dyshuarin të qëllojë drejt kolegut të tij.