Detajet e reja për vetëvrasjen në Burgun e Dubravës

Kronika August 27, 2018 - 16:27
Lexo detajet

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dhënë detaje të reja për vetëvrasjen në Burgun e Dubravës. Rasti ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit ndërsa sipas zyrtarëve nga kjo qendër i ndjeri këtë gjë ka provuar ta bëj edhe herë të tjera, përcjell “Zëri.info”.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin se i paraburgosuri me inicialet I.K, i lindur me 22.11.1987, nga fshati Tërpezë, Komuna e Malishevës është vetëvarur në orët e hershme të mëngjesit të datës 27.08.2018. I paraburgosuri I.K, ishte arrestuar me datë 10.04.2018 dhe ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa në Qendrën Korrektuese në Dubravë, është transferuar me datë 03.07.2018. Vepra me të cilën ngarkohej ishte vrasje e rëndë në tentativë dhe kishte vazhdim të paraburgimit deri me 08.09.2018”, thuhet në komunaikatë.

Për këto raste ai ishte duke u tratuar nga psikiatri dhe psikologu i burgut dhe për këto incidente ishin të njoftuar edhe policia, prokuroria, gjykata si dhe familja e të ndjerit.

“I paraburgosuri I. K, është pranuar në krahun Psikiatrik të stacionarit të Qendrës Korrektuese në Dubravë pas transferit nga Qendra e Paraburgimit në Prizren me datë 03.07.2018. Nga data 30.07.2018 deri me datë 20.08.2018 ka qene i hospitalizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në QKUK, në Prishtinë me Dg.F 43, X 78.

Për shkak të vetëlëndimeve dhe tentim-vetëvarjes është trajtuar në vazhdimësi nga mjekët e burgut, psikiatri dhe psikologu. Për rastin janë njoftuar autoritetet kompentente, Prokuroria, Gjykata, Policia e Kosovës si dhe familja e të ndjerit”, thuhet tutje.

Pas këtij rasti dy zyrtarë korrektues  dhe dy infermier janë suspenduar deri në përfundim të hetimeve.

“Ndërsa Menaxhmenti i lartë i Shërbimit Korrektues dhe Udhëheqësi i Shërbimit Shëndetësor për Burgje nga Ministria e Shëndetësisë, duke kerkuar nje hetim profesional dhe të pavarur mbi përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zyrtarëve përgjegjës , ka marrë vendim që të suspendohen dy Zyrtarë Korrektues dhe dy Infermierë deri në përfundimin e hetimit të rastit”. /ZËRI