Aksident i rëndë, ndërron jetë shqiptarja shtatzënë

Kronika August 21, 2018 - 11:54
Lexo detajet

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Levan, teksa raportohet se një grua , e cila ishte shtatzënë, ka ndërruar jetë.

Tre automjete janë përfshirë në aksidentin e ndodhur në afërsi të Levanit, tek ish-lagja e Aksionistëve. Raportohet se nga aksidenti ka humbur jetën një grua shtatzënë, ndërsa kanë mbetur të plagosur 5 persona.

Mësohet se në aksident janë përfshirë një automjet tip Benz me targa AA 446 OP, një mjet Audi me targa AA 616 FN, si dhe një tjetër mjet tip Benz.

Në automjetin tip Audi bëhet e ditur se ishin 4 persona, ndërsa në Benz-in me targa AA 446 OP ka qenë një çift me dy fëmijë, ndërsa në mjetin tjetër tip Benz ka qenë vetëm shoferi.

Të plagosurit janë dërguar drejt spitalit të Fierit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë që policia po ndihmon në lehtësimin e trafikut dhe po heton rreth shkaqeve të aksidentit.

Nga të dhënat e para rezulton se mjeti tip Audi ka hyrë në parakalim duke u përplasur me mjetin tip Mercedes-Benz, ndërsa makina tjetër vetëm është fërkuar dhe ka ndaluar disa metra më poshtë. /Tch