Prokuroria jep detaje për vrasjen në Gjilan, viktima me të dyshuarit ishin kushërinj

Kronika August 20, 2018 - 16:52
Lexo detajet

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalur me një komunikatë për media ku ka sqaruar rrethanat e vrasjes e cila ka ndodhur mbrëmë në Gjilan ku A.N (1994), ka mbetur i vrarë nga kushëriri i tij i mitur, shkruan “Zëri.info”.

Sipas prokurorisë ngjarja ka ndodhur për motive të ulëta teksa ka bërë të ditur se janë arrestuar dy të dyshuarit e tjerë të cilët ishin të përfshirë në rast.

Sipas prokurorisë familjarët kishin mosmarrëveshje edhe më herë.

LEXO EDHE: I riu në Gjilan dyshohet se u vra për motive të ulëta nga familjarë të tij

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Gjilan njofton opinionin se më  19.08.2018, rreth orës 19:00, në fshatin Vërbicë e Zhegovcit Komuna Gjilan, pas një mosmarrëveshje verbale, në mes të dyshuarit B.N (1971) dhe tani të ndjerit, A.N (1994), ka ndërhyrë i dyshuari – i mitur A.N (2002), i cili me pushkë të gjuetisë ka shtënë dy herë në drejtim të viktimës A.N, me ç’ rast të njëjtin e privon nga jeta.

Me të njoftuar me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dal Njësia e Hetimeve Regjionale (NJHR), të Policisë së Kosovës, si dhe Prokurori Kujdestar për Krime të Rënda, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes dhe njëkohësisht kanë kërkuar që Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupin e pa jetë të viktimës ta dërgojë në autopsi. Në rastin e kryerjes së veprës penale ka pasur prezent edhe dëshmitarë, ku të njëjtit edhe janë intervistuar nga ana e hetuesve policor të NJHR, në Gjilan.

Në të njëjtën kohë janë arrestuar dy të dyshuarit për rastin në fjalë, i dyshuari – i mitur A.N, për shkak të veprës penale të kryer në bashkëveprim, “vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe për të dyshuarin B.N, për shkak të veprave penale, “vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 të KPRK-së. Për të njëjtit të dyshuar është lëshuar Aktvendim mbi ndalim, për të dyshuarin B.N – në kohëzgjatje prej 48 orë, ndërsa për të dyshuarin - i mitur A.N, në kohëzgjatje prej 24 orëve

 Viktima e rastit është i afërm i të dyshuarve – kushëri i tyre, ku motivet e vrasjes kanë qenë pikërisht motive të ulëta dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë pasur mosmarrëveshje edhe më herët – viktima dhe të dyshuarit.

Pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, me datë 20.08.2018, nga Policia NJHR Gjilan, është ushtruar kallëzim penal ndaj të dyshuarve të lartshënuar, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan, ka nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve, si dhe ka ushtruar kërkesë (propozim) për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartë cekura penale, të cilat iu janë dorëzuar Gjykatës kompetente në Gjilan, e cila pritet që të vendosë për këtë çështje brenda afatit ligjor. /ZERI