Shoferi i autobusit, mohon se dha 10 euro ryshfet, në pikë kalimin kufitar në Merdare

Kronika August 20, 2018 - 13:25
Lexo tjera detaje

Shoferi i autobusit të kompanisë “Barileva Tours”, Nurë Ahmetgjekaj, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

I akuzuari Ahmetgjekaj, në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka mohuar fajësinë lidhur me akuzën me të cilën ngarkohet.

Ai akuzohet se më 25 gusht të vitit 2015, në pikë kalimin kufitar Kosovë-Serbi, në Merdare, në brendësi të dokumenteve të identifikimit të udhëtarëve, rreshterit Behram Maliqit, ia kishte lënë edhe 10 euro, në emër të ryshfetit.

Në këtë seancë fillestare, pasi prokurorja Dulina Hamiti e lexoi aktakuzën, i akuzuari deklaroi se e ndien veten plotësisht të pafajshëm.Ai tha se e din se aty janë gjetur 10 euro, por që nuk e din se si kanë ardhur të njëjtat deri në dorën e rreshterit.Siç, tha ai, fajtor është vetëm se pse nuk i ka kontrolluar të gjithë dokumentacionin një nga një para dorëzimit në pikën doganore.

Ndryshe, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, vendosi që shqyrtimi i dytë në të cilin i akuzuari mund që të paraqesë kundërshtimet e provave në aktakuzë ose të kërkoi hudhjen e saj, të caktohet më 21 shtator në ora 09:30.

Sipas aktakuzës, Ahmetgjekaj, më 25 gusht 2015, rreth orës 09:00, me qëllim të lehtësimit të kalimit të kufirit, në pikë kalimin kufitar në Merdare, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka ofruar para personit zyrtar, rreshterit Behram Maliqit, në kabinën e daljes, në të cilën bëhen kontrollimet dhe regjistrimet e dokumenteve të nevojshme për kalimin e kufirit.

Siç pretendon prokuroria, i akuzuari pasi kishte ardhur për kontroll, në brendësi të dokumenteve të identifikimit të udhëtarëve, rreshterit Behram Maliqit ia kishte lënë edhe 10 euro, në emër të ryshfetit.

Vepra penale për të cilën është duke u akuzuar Ahmetgjekaj mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.