Familjarët e të ndjerit Abedin Bytyqi akuzojnë Prokurorinë dhe Gjykatën për korrupsion

Kronika August 19, 2018 - 21:11

I akuzuari për vrasje të rëndë, Reshat Ademi ishte liruar dhe pastaj kthyer në paraburgim për një vrasje që ka ndodhur më 2016 në Peqan të Suharekës.

Pas këtij veprimi të drejtësisë, familjarët e të ndjerit, Abesin Bytyqi, lëshojnë akuza se prokuroria dhe gjykata janë korruptuar. T7 sjell dëshmitë e palëve dhe faktet për korrupsion në këtë rast.

Në tetor të vitit 2016, Murat dhe Reshat Ademi akuzohen se mbytën Abedin Bytyqin nga Suhareka.

Këtë vrasje, sipas aktakuzës, e kryen të shtyrë nga gruaja e viktimës, Resmije Bytyqi, që ishte edhe kushërirë e vëllezërve Ademi. Ata akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prizrenit vrasjen e kryen edhe në bashkëpunim me Fadil Fetiun. Është klasifikuar si vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Dënimi për këtë krim shkon prej dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.

Mirëpo, përkundër kësaj, më 2 gusht të këtij viti, Gjykata në Prizren e kishte liruar nga paraburgimi të akuzuarin Reshat Ademin.

Në të njëjtën kohë që T7 po interesohej për rastin, Gjykata Themelore, ka lëshuar një aktvendim tjetër për kthimin e tij në paraburgim të njërit të akuzuar për vrasje të rëndë.

Për këtë familjarët thonë se nuk kanë shumë besim në organet e drejtësisë.

Sipas vëllait të viktimës, prokuroria dhe gjykata janë të korruptuara.

Mirëpo, prokurori i rastit, Genc Nixha e mohon një gjë të tillë.

Ndërsa, nga disa përgjime të siguruara nga T7 del një version krejt tjetër për ngjarjen.

Familjarët thonë se besimi i tyre në drejtësi është shuar, pasi që deri më tani ata nuk kanë bërë asgjë.

I ati i Abedinit thotë se edhe më herët të njejtët kishin tentuar ta vrisnin Abedinin, përmes një bombe, mirëpo edhe kjo kishte kaluar në heshtje.

Në këso rrethanash ata thonë që besimi i tyre në prokurorin ka marrë fund. Madje për arsye të ndryshme ata kanë kërkuar edhe përjashtimin e tij nga rasti, por kjo ishte refuzuar.

Murat dhe Reshat Ademi akuzohen për vrasje të rëndë, Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje të vrasjes dhe Fadil Fetiu akuzohet për moslajmërim të veprës penale.