Plagoset një 6-vjeçare në Podujevë

Kronika August 17, 2018 - 14:30
Lexo detajet

Nga një predhe bredhëse është lënduar një vajzë 6-vjeçare në oborrin e shtëpisë në Podujevë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen që ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Skënderbeu’ në Podujevë.

Policia bënë të ditur se vajza e plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ku nga një predhë bredhëse është lënduar një vajzë 6 vjeçare, e cila menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor, nga ku edhe jemi njoftuar se është jashtë rrezikut për jetë. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar është hapur rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ndërkohë që hetuesit policor janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave lidhur me këtë rast. Po në qytetin e Podujevës dje është hapur edhe një rast tjetër shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ku nga plumbi bredhës është dëmtuar një dritare e një lokali që ndodhet në rrugën e Xhamisë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu, bëhet e ditur se edhe në dy raste të tjera janë përdorur armët gjatë natës së kaluar në ahengje familjare, ku janë konfiskuar katër armë.

“Në dy raste të tjera të ndara një në Podujevë dhe një në fshatin Letanc të Podujevës, ku në ahengje familjare janë përdorur armët e zjarrit gjatë natës së kaluar policia ka zhvilluar kontrolle dhe ka konfiskuar katër armë zjarri:- dy revole (Ecol )- një revole Zoraki dhe – një armë e tipit M57, si dhe janë arrestuar dy persona: – S. S, mashkull, 66 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe M. H, mashkull, 50 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në shkrimin e tyre.

Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.