Të akuzuarit talleshin me fryrjen e listave te veteranëve deri sa merreshin në pyetje nga prokurori Blakaj

Kronika August 17, 2018 - 08:08
Lexo detajet
Image

Dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, nuk lidhet vetëm me kërcënimet. Heqja dorë nga pozita e prokurorit special dhe nga paga e majme që kishte ishte më shumë si “flijim” nga ana e tij sesa frikë. Duke parë që procedimi i lëndës së tij më tutje ishte i pamundur, prokurori Blakaj ka vendosur të heqë dorë nga gjithçka vetëm që çështja, të cilën kishte ndjekur, të shkonte deri në fund, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Burime të gazetës “Zëri” të afërta me prokurorin Blakaj kanë bërë të ditur se prokurori special lëndën që lidhet me hetimin e fryrjes së listave të veteranëve e kishte sjellë deri këtu, por e kishte parë që për ta proceduar më tutje e ka problem.

“Qëllimi i tij ka qenë për ta përshpejtuar lëndën që e ka punuar dhe për të mos e stopuar. Kërcënime ka pasur, por kërcënime kanë thuajse çdo ditë. Nuk është vetëm kërcënimi, qëllimi më i madh i tij (i tyre) ka qenë ta procedojë lëndën më tutje. Politika të larta janë në këtë rast, por politika jovendore”, kanë bërë të ditur burime të afërta me prokurorin.

Blakaj po shihet si një figurë e shahut që është përdorur me qëllim të arritjes së qëllimit për largimin e disa njerëzve prej skenës publike.

Deri sa po intervistonte personat e përfshirë në çështjen e fryrjes së listave të veteranëve, Blakaj ishte përballë edhe me shaka e “Kur i ka marrë në pyetje këta persona ndaj të cilëve po përflitet se ka aktakuzë, kanë bërë hajgare gjatë dhënies së deklaratave psh: Njeri prej tyre i ka thënë “pse mos po ti marrin ty prej xhepit ato pare, le ti marrin se kanë nevoje njerëzia”, ka thënë tutje ky burim.

Në letrën e dorëheqjes Blakaj nuk kishte përmendur asnjë motiv

Ndërkohë në letrën e dorëheqjes, të dorëzuar në zyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, prokurori Blakaj thotë: “I nderuar kryeprokuror Millaku, ju njoftoj se që nga data 13. 08. 2018  nuk do të jem pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilin fakt ju kam paralajmëruar para 5 javësh. Të nderuar kolegë dhe kryeprokuror, për mua ka qenë një nder i jashtëzakonshëm të ushtroj detyrën e prokurorit të Shtetit dhe të jem pjesë e institucionit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës – Prokurorit të Shtetit, në veçanti këto vitet e fundit si pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pavarësisht sfidave të shumta”, ka shkruar Blakaj në hyrje të letrës lamtumirës. 

Ai në këtë letër nuk ka dhënë motivet e dorëheqjes së tij. Mirëpo në këtë letër Blakaj kishte njoftuar se aktakuzën e quajtur “Rasti i veteranëve” ia ka dorëzuar kryeprokurorit Millaku.

“Tani e tutje aktivitetin tim profesional do ta vazhdoj jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit, gjithmonë në interes të parimeve themelore për një sistem të drejtësisë me integritet. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lart ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe të zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe më komplekse i quajtur si ‘Rasti i veteranëve’, për të cilin rast nga 11 korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell kryeprokurorit Millaku”, kishte shkruar Blakaj. 

Por, zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës mohojnë ekzistimin e një aktakuze të tillë. 

Hoxha: S’ka aktakuzë, edhe Prokurorinë Speciale s’e ka mbajtur veç prokurori Blakaj

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka mohuar faktin se një aktakuzë për “Rastin e veteranëve” ekziston në këtë Prokurori.

“Kur ngrihet aktakuzë ajo dërgohet në Gjykatë, s’ka pse të qëndrojë te kryeprokurori. Prokurori veç e njofton kryeprokurorin që e ka ngritur aktakuzën, bile ne nuk i publikojmë rastet pa pasur pranimin e aktakuzës në Gjykatë. Në momentin që pranohet aktakuza jonë në gjykata, ne lëshojmë një komunikatë për medie se është ngritur një aktakuzë”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.  

Prokurori Hoxha ka pohuar se Blakaj i ka zhvilluar hetimet për listat e fryra të veteranëve dhe në këtë lëndë ka punuar një kohë të gjatë dhe ka pasur një ekip të hetuesve policorë, të bashkëpunëtorëve profesionalë dhe staf mbështetës prej Prokurorisë.

Mirëpo ai shton se sa persona e kë e ka hetuar nuk e di sepse prokurorët i kanë rastet e ndara, por shton se e di që rastin e listës së veteranëve ishte duke e hetuar. 

Prokurori Hoxha pohon se kjo çështje do të procedohet tutje, madje me ironi shton se Prokuroria Speciale nuk mund të mbyllet për shkak të largimit të një prokurori, duke aluduar në  prokurorin Blakaj.

“Jo ne do të vazhdojmë, nuk do të tërhiqemi, neve na vjen keq që ka shkuar një koleg, e ka lëshuar Prokurorinë, por ne Prokurorinë s’mund ta mbyllim tash për një prokuror. Edhe nuk e ka mbajtur Prokurorinë një prokuror, por e mbajnë sistemi e prokurorët tjerë dhe sigurisht që këtë rast do ta marrë një prokuror tjetër, por këtë ndarje do ta bëjë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale”, është shprehur prokurori Hoxha. 

I pyetur nëse Blakaj i ishte ankuar ndonjëherë për ndonjë kërcënim, Hoxha mohoi një gjë të tillë. “Jo, të jeni të bindur që jo. Nuk mund të them, nuk e di, ai nuk ka thënë diçka të tillë. Ai vetë duhet të deklarohet ose kryeprokurori kur të kthehet nga pushimi, sepse ai është më i informuar se të gjithë ne kolegët e tij, ne nuk dimë gjë për këtë punë”, është shprehur ai. 

Njëri nga të akuzuarit e mundshëm në “Rastin e veteranëve” që prokurori Blakaj pretendonte se e ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ish-komandanti i Gardës së Kosovës, ish-deputeti i Kuvendit të  Kosovës dhe aktualisht nënkryetar i Komunës së Skenderajt,  Nuredin Lushtaku, ka mohuar ekzistimin e një aktakuze të tillë ndaj tij.

Në një prononcim për “Zërin” Lushtaku ka pohuar se është intervistuar nga prokurori Blakaj, mirëpo që nuk e di se në çfarë cilësie ishte intervistuar. Lushtaku ka theksuar se është i gatshëm të marrë çfarëdo përgjegjësie për Brigadën 114.

“Po vallahi u deshtë me i pyet ato media që po shkruajnë, unë jam kanë e kam dhanë një deklaratë rreth procedurave, si kanë shkuar, diçka konkrete jo, edhe nuk e di as në çfarë cilësie ma kanë qit emrin aty. Unë jam kanë përgjegjës për Brigadën 114 edhe jam i gatshëm me dhanë përgjegjësi deri në fund. Aty as nuk është cekur çka e qysh, ata që po i bëjnë këto politika ndoshta e dinë më mirë. Nuk më ka njoftuar kush që kam aktakuzë të ngritur”, është shprehur Lushtaku për “Zërin”.

Ai mohon çfarëdo kërcënimi të mundshëm drejt prokurorit Blakaj.  Lushtaku ka pohuar se dihen haptas kush i ka fryrë listat e kush s’i ka fryrë, duke shtuar se nuk është ai që merret me këto çështje.

Ai ka pranuar se në brigadën e tij ka pasur fryrje të listave. “Ka pasur një rritje të vogël, ku ua ka lejuar ligji dhe ka pasur një rritje për 10-15 për qind që në bazë të ligjit që e kanë bo normal ju ka mundësua mu kanë veteranë”, tha ai. 

Ndërkohë në një prononcim për “Zërin” ish-kryetari i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, aktualisht zëvendësministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, kishte konfirmuar se ishte intervistuar prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, rreth procesit të verifikimit të statusit të veteranëve.

Zëvendësministri Çeku kishte konfirmuar se ishte intervistuar nga prokurori Elez Blakaj bashkë me anëtarët tjerë të këtij Komisioni në maj të këtij viti, por kishte mohuar faktin se ekziston një aktakuzë e tillë ndaj tij.

“Më ka ftuar të sqaroj se si ka shkuar procesi dhe asnjë përpjekje tjetër nuk ka pasur as nga ai, as nga ana ime. Nuk e di saktë, më duket të gjithëve na ka ftuar si të dyshuar, kam harruar përmes telefonit e kam pasur ftesën. Mund ta konfirmoj se gjithë anëtarët e Komisionit, jo vetëm unë, por të gjithë, një nga një nga ka thirrur të gjithëve. Nuk kam vërejtur asnjë element se ai mund të ngritë aktakuzë kundër nesh, por sidoqoftë nuk kam kurrfarë informacioni përveç asaj që lexova sot. Por që kam qenë i intervistuar po, unë dhe gjithë të tjerët”,  ishte shprehur Çeku.