Kryeprokurori Millaku për Blakajn: Nuk ka dorëzuar aktakuzë, por draftakuzë

Kronika August 16, 2018 - 13:45
Lexo detajet

Një aktakuzë voluminoze për veteranët e rrejshëm, prokurori special i sapodorëhequr, Elez Blakaj, ka thënë se e ka dorëzuar te kryeprokurori Reshat Millaku.

E ky i fundit, tha se nuk ka pranuar aktakuzë të plotë nga prokurori i dorëhequr, por thotë se ka pranuar një draftakuzë.

LEXO EDHE: Prokurori që iku në Amerikë s'kishte krijuar pasuri, deklaronte të ardhurat edhe nga kuponët fiskalë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se Blakaj nuk i ka dorëzuar aktakuzë për rastin e veteranëve.

“Është dorëzuar një draftakuzë, jo aktakuzë”, ka thënë shkurtimisht Millaku për Express.

Mirëpo, në një letër lamtumire të publikuar nga Insajderi që prokurori i dorëhequr i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, ka shkruar se e ka dorëzuar një aktakuzë voluminoze te kryeprokurori Millaku më 11 korrik të 2018-s.

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lartë ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe komplekse i quajtur si ‘Rasti i Veteranëve’, për të cilin rast nga 11 Korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell Kryeprokurorit Millaku”, shkruan Blakaj.

Gjithashtu, kryeprokurori Millaku tha se rastin e veteranëve, por edhe rastet tjera që prokurori Blakaj i ka pasur, do t’i dorëzohen një prokurori tjetër, por se ende nuk është caktuar.

“Po, normalisht se do t’i marrë një prokuror tjetër, por ende nuk është caktuar”, tha Millaku.

Është rasportuar se listës së personave të akuzuar bëhet e ditur se i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari.