Prokuroria: Asnjë i dyshuar rreth vetëvrasjes së dy të miturave në Prizren

Kronika August 15, 2018 - 08:52
Lexoni më shumë detaje

Janë bërë tre muaj qëkur dy të miturat Dorëjeta Kafexholli dhe Alketa Dakaj pak ditë nga njëra-tjetra i kanë dhënë fund jetës së tyre duke kërcyer nga ndërtesa jo larg shkollës së tyre në Prizren. Prokuroria Themelore në Prizren deri më tash ka grumbulluar një numër të madh të provave, duke përfshirë edhe ekzaminimin e telefonave të viktimave, mirëpo as më i vogli dyshim nuk ekziston se në vetëvrasjen e tyre mund të jetë implikuar ndonjë person, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Hetimet për vetëvrasjet misterioze të dy  të miturave, të cilat ishin edhe shoqe të klasës në Shkollën e Mjekësisë në Prizren, Dorëjeta Kafexholli dhe Alketa Dakaj janë afër fundit. Shantazh ose shtytje në vetëvrasje, asnjëra nga këto vepra penale nuk duket se janë motivi që kanë shtyrë dy të miturat t’i japin fund jetës së tyre.

Grumbullimi i të gjitha provave nga ana e organeve të Hetuesisë  nuk kanë nxjerrë në pah ndonjë dyshim më të voglin se dy të miturat janë shtyrë të vetëvriten.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Metush Biraj, i cili është duke e hetuar këtë rast i ka thënë gazetës Zëri se në bazë të provave të mbledhura deri më tash nuk ka asnjë dyshim më të voglin se dikush është implikuar në vetëvrasjen e dy të miturave.

“Një numër të madh të provave i kemi grumbulluar, mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë dyshim se dikush është implikuar në këto raste. Gjer më tani nuk kemi asnjë dyshim as më të vogël, as më të madh që telashi i tyre ka qenë pasojë e ndonjë ndikimi nga jashtë”, është shprehur prokurori Biraj.

Sipas tij,  edhe familjarët e dy të miturave nuk dinë asgjë rreth asaj se cilat kanë mundur të jenë motivet e aktit të vajzave të tyre.

Deri më tani, sipas prokurorit Biraj, krejt ato prova materiale që janë grumbulluar, duke nisur nga dëshmitarët, ekzaminimi i telefonave të viktimave, si dhe hapja e disa lloj pistash hetimore, Prokuroria nuk ka arritur të gjejë ndonjë dyshim të arsyeshëm se vdekja e tyre ka qenë pasojë e ndonjë veprimi nga faktori i jashtëm.

Sipas tij, Prokuroria është në pritje vetëm të raportit të obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

“Momentalisht jemi në pritje të raporteve të obduksionit, deri më tani kemi zhvilluar veprime hetuese operative, kemi grumbulluar prova, kemi dëgjuar dëshmitarë, kemi vepruar me masa të fshehta, por akoma nuk kemi ndonjë dyshim se mund të jetë i implikuar dikush në këto dy raste”, ka thënë Biraj.

Por zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk kanë dhënë ndonjë informacion se kur do të bëhet dorëzimi i obduksionit të dy të miturave.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxheliu, nuk ka dashur të japë asnjë detaj rreth kësaj çështjeje, duke shtuar se gjendet në terren dhe nuk e di kur do të dorëzohen rezultatet e autopsisë për dy të miturat.

Ndërkohë sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 4 raste të vetëvrasjeve. Mosha e personave që dominon në kryerjen e vetëvrasjeve  sipas Policisë janë nga 18 deri në 40-vjeçare.

Sa i përket gjinisë, viktimat e gjinisë mashkullore prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.

Sipas të dhënave të Policisë, ky fenomen ka shënuar rënie nëse shikohet nga vitit 2014 ku numri i vetëvrasjeve ishte 77 persona të vetëvrarë brenda një viti. Ndërsa numri i tentim vetëvrasjeve është pothuajse i njëjtë.

Në vitin 2014  janë evidentuar 77 vetëvrasje dhe 261 tentim vetëvrasjeje, në vitin 2015 ka pasur ulje të numrit të vetëvrasjeve nga 77 sa ishte në 60 vetëvrasje dhe 219 tentim vetëvrasjeje, në vitin 2016 ky numër është ulur dukshëm në 37 vetëvrasje dhe 229 tentim vetëvrasjeje, ndërsa vitin e kaluar (2017) numri i personave të cilët i kanë dhënë fund jetës së tyre ishte 32 raste dhe 216 tentim vetëvrasjeje.

Dy nxënëset e klasave të 10-ta të të njëjtës shkollë, Dorëjeta Kafexholli dhe Alketa Dakaj, janë vetëvrarë brenda pak ditësh. Ato ishin shoqe banke dhe aktin e hedhjes së tyre e kishin bërë nga dy lartësi dhe ndërtesa të ndryshme, jo shumë larg objektit të shkollës së tyre në Prizren.  

Tragjedia e parë kishte ndodhur në orët e para të 8 majit, kur një femër e moshës se re ishte hedhur nga kati i pestë i banesës për t’i dhënë fund jetës.

Pa kaluar dy javë tragjedia e dytë kishte ndodhur më 25 maj në orët e para të ditës. Një vajzë ishte hedhur nga kati i tetë i banesës duke mbetur pa shenja jete.

Një tjetër vajzë kishte tentuar të vetëvritet pak ditë nga vdekja e dy të miturave të para.