9 muaj burgim ndaj dy të akuzuarve për sulm ndaj gazetarit, Gazmend Morina

Kronika August 14, 2018 - 17:40
Lexoni më shumë detaje

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, ka shqiptuar dënim unik prej pesë muaj burgim ndaj të akuzuarit, Nexhat Dedia dhe katër muaj burgim për të akuzuarin, Labinot Krasniqi, për kryerjen e veprave penale “kanosja”, “lëndimi i lehtë trupor” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, pasi që akuzohen se më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit, Gazmend Morina.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit Ferki Xhaferi, të akuzuarit dhe palët e tjera në këtë procedurë, lidhur me këtë aktgjykim, kanë të drejtë ankese në afat ligjor, pas pranimit të aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Xhaferi, gjatë shpalljes së aktgjykimit i njoftoi të akuzuarit se dënimi me burgim me pëlqimin e tyre, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, mirëpo dy të akuzuarin nuk shprehën gatishmëri për këtë.

Në shpalljen e këtij aktgjykimi, prezent kanë qenë të akuzuarit Dedia dhe Krasniqi si dhe i dëmtuari Gazmend Morina, ndërsa nuk ka prezantuar prokurorja e rastit, Jelena Marinoviq.

Paraprakisht, këtë të martë, është mbajtur seanca  e shqyrtimit gjyqësor, ku po ashtu është dhënë fjala përfundimtare nga ana e palëve në këtë procedurë.

Prokurorja e rastit, Jelena Marinoviq, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare u shpreh se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të cekura në aktakuzë.

Marinoviq shtoi se kërkon nga gjykata që me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese sipas ligjit.

Përveç prokurores Marinoviq, aktgjykim dënues për të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, ka kërkuar edhe i dëmtuari në këtë rast, Gazmend Morina.

I dëmtuari Morina, në fjalën e tij përfundimtare, ndër të tjera tha se faktin se ky sulm ka qenë i organizuar paraprakisht, sipas tij, e dëshmojnë rrethanat se sulmi është bërë fiks në kohën kur ai ka përfunduar orarin e punës dhe prapa objektit të Komunës së Vushtrrisë, ku ai ka punuar dhe ende punon.

Morina duke iu referuar të akuzuarit Dedia, deklaroi se një ditë para sulmit, sipas tij është kërkuar nga i akuzuari në Komunën e Vushtrrisë dhe pasi që nuk e ka takuar atë ditë, e ka vazhduar kërkimin edhe të nesërmen kur sipas tij, edhe ka ndodhur sulmi.

Për më tepër, Morina u shpreh se e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i shkrimeve hulumtuese siç thotë ai, lidhur me keqmenaxhimet e bëra në kombinatin “Trepça”, nga atëkohë menaxheri i këtij kombinati, Ahmet Tmava.

Në fund, i dëmtuari Morina, tha se kërkon nga gjykata që të shpallë një aktgjykim meritor për të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi dhe të njëjtit të dënohen sipas ligjit.

Ndërkaq, i akuzuari Nexhat Dedia, në fjalën e tij përfundimtare u shpreh se sipas tij, tentativë e të dëmtuarit Morina, është ngritja në pozitë përmes shpikjeve dhe provokimeve të ndryshme.

I akuzuari Dedia, është shprehur se respekton Gjykatën pavarësisht vendimit i cili do të merret lidhur me rastin konkret, ngase sipas tij, është hera e parë që gjendet në cilësinë e të akuzuarit.

Kurse, i akuzuari tjetër, Labinot Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ndihet keq për krejt këtë që ka ndodhur, ngase sipas tij e gjitha ka qenë një incident duke mohuar se e tëra ka qenë e planifikuar, siç sipas tij, pretendon i dëmtuari Morina.

Sipas të akuzuarit Krasniqi, atë ditë së bashku me të akuzuarit tjetër Nexhat Dedia, kanë qenë duke shkuar në lokalin e tij, për të cilin tha se gjendet prapa objektit të Komunës së Vushtrrisë, duke cekur më pas se për incidentin në fjalë, ka kërkuar falje nga të afërmit e të dëmtuarit, Morina, për të cilët tha se i njeh mjaft mirë.

Ndryshe, të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 9 gusht 2018, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë  Themelore në Mitrovicë, thuhet se i akuzuari Nexhat Dedia,  më 23 janar 2016, në Shkup, ka kanosur personin tjetër se do ta gjej një e keqe pasi që kishte publikuar një foto në Facebook, së bashku atëkohë me menaxherin e Kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava dhe të akuzuarin tjetër Labinot Krasniqin.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që tani i dëmtuari Gazmend Morina, në foton e publikuar nga i akuzuari Dedia, ka shkruar komentin “nuk paska me pas krizë për Trepçën”, ku pas tre orësh, i pandehuri Dedia e ka kërcënuar të dëmtuarin Morina, se do t’ia sheh sherrin kur të kthehet në Kosovë, duke i thënë “ki me pa se kush jam unë, ke me pas problem për këtë punë”.

Me këtë, i akuzuari Nexhat Dedia, akuzohej se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 i KPRK-së.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, në bashkëkryerje më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Gazmend Morina, ashtu që sipas aktakuzës, me forcë kanë hapur derën e automjetit “Fiat Punto”, në të cilin ka qenë i ulur i dëmtuari, me ç’rast kanë filluar ta sulmojnë dhe ta godasin të dëmtuarin me shufra metalike, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, skuqje në laprën e veshit të anës së majtë, në regjionin e shpatullës dhe krahut të majtë me pasoja  të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimiperDrejtesi/