500 femra ishin viktima të dhunës në familje vetëm për 6 muaj

Kronika August 11, 2018 - 08:07
Lexo tjera detaje

Numri i madh i femrave që bien pre e dhunës në familje çdo vit po shtohet. Përveç dhunës nuk është i vogël numri i atyre femrave që përfundojnë të vdekura nga ish-bashkëshortët. Njohës të çështjeve të sigurisë dhe të të Drejtave e Lirive të Njeriut pohojnë se organet përgjegjëse në vend po tregohen joserioze në parandalimin e vrasjeve në rastet e dhunës në familjeë, shkruan "Gazeta Zëri".

Diana Kastrati, Dafina Zhubi dhe Valbona Marku-Nrecaj bashkë me vajzën e saj 9-vjeçare janë vetëm disa nga femrat jeta e të cilave është marrë nga ish-bashkëshortët ose nga të afërmit e tyre. Rastet e dhunës në familje, që zakonisht viktima janë femrat,  jorrallë kanë përfunduar me  vrasjen e tyre.

Rasti i vrasjes së Valbona Marku-Nrecajt dhe i vajzës së saj ditë më parë nga kryefamiljari Pjetër Nrecaj ka tronditur vendin. Megjithatë, rastet e dhunës në familje viteve të fundit janë shtuar dukshëm. Sipas të dhënave zyrtarë të Policisë së Kosovës vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë evidentuar mbi 600 raste të dhunës në familje, ku viktimë e dhunës në shumicën e rasteve janë femrat.

Në periudhën janar - qershor 500 femra dhe 115 meshkuj ishin viktima të dhunës në familje

Të dhënat policore tregojnë se numri i rasteve të dhunës në familje nga viti 2015 e deri në gjashtë muajt e parë të këtij viti vetëm sa janë rritur. “Sa i përket interesimit tuaj po ua përcjell disa të dhëna lidhur me rastet e dhunës në familje: Gjatë vitit 2015 janë evidentuar 1038 raste, gjatë vitit 2016 janë evidentuar 1227 raste, gjatë vitit 2017 janë evidentuar 1269 raste, kurse në periudhën janar - qershor 2018 janë evidentuar 628 raste”, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.

Vetëm gjatë një viti rreth 1000 femra kanë qenë pre e dhunës në familje. Viktimat e dhunës sipas Policisë janë të të dy gjinive, duke përfshirë edhe fëmijët. “Numri i viktimave sipas gjinisë: në vitin 2015 kanë qenë 869 femra viktima të dhunës dhe 202 meshkuj,  në vitin 2016 janë shënuar 988 raste të dhunës ku viktima kanë qenë femra dhe 259 meshkuj, në vitin 2017 janë shënuar  958 me viktima femra dhe 261 meshkuj, në periudhën janar - qershor 2018 janë evidentuar 500 femra viktima dhe 115 meshkuj. Kurse sa i përket vrasjeve si pasojë e dhunës në familje gjatë viteve janë: në vitin 2015 janë evidentuar 3 raste, në vitin 2016 4 raste, në vitin 2017 5 raste, kurse këtë vit deri më sot janë dy raste të vrasjeve”, bëhet e ditur nga Policia.

 

KMDLNJ: Gjykatat ta shqiptojnë masën e ndalimit të kontaktit me viktimat e dhunës

Policia më shumë duhet të merret me parandalimin sesa me pasojat. Në rastin konkret sipas drejtorit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, Policia është marrë me pasojat. Ai pohon se personi që e ka kryer vrasjen e dyfishtë ka qenë në paraburgim, ka dalë nga paraburgimi, ka qenë i identifikuar si njeri i dhunshëm që ka ushtruar dhunë në familje, ka qenë i ndarë nga gruaja dhe në këtë rast Gjykata është dashur ta marrë një masë ndaluese ose kufizuese në mënyrë që ai të mos ketë të drejtë t’i afrohet viktimës, por duket që në këtë aspekt kanë dështuar. “Meqë këto raste po shtohen dhe viktimat kryesisht janë femra si pasojë e dhunës në familje, atëherë mendoj se mënyra më e mirë është që gjykatat ta shqiptojnë masën e ndalimit të kontaktit me viktimën ose t’ua kufizojë lirinë atyre kriminelëve kudo që janë që të mos i afrohen viktimës dhe si masë për këtë mendoj se mund t’ia ngjisin një detektor elektronik me të cilin e përcjellin kah po lëviz, ndryshe nuk ka asnjë mundësi”, shprehet Shala.

Gjykatat sipas Shalës duhet ta luajnë rolin që në asnjë mënyrë të mos lejohet një kriminel t’i afrohet viktimës, sikurse veprohet në shtetet perëndimore, por në Kosovë kjo masë shumë rrallë shqiptohet, por edhe kur shqiptohet nuk respektohet sepse nuk mbikëqyren dhe për këtë arsye kemi kaq shumë raste të vrasjeve.

Islami: Dikush nga institucionet duhet ta marrë përgjegjësinë për vrasjen e dyfishtë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, pohon se vrasja e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës nuk duhet të kalojë pa përgjegjësi institucionale.  Ai pohon se vrasja e dyfishtë, e cila ka ndodhur brenda familjes fillimisht do të duhej të kualifikohej si “Vrasje e rëndë”, një ndër vrasjet më të rënda që mund të ndodhë, për shkak se është bërë terror brenda familjes. “Deklaratat e zyrtarëve të Prokurorisë dhe të Policisë janë irrituese dhe të pamatura, ku ata duan t’i shfajësojnë institucionet të cilat është dashur t'i marrin në mbrojtje viktimat ose të vrarat nga kryefamiljari i tyre”, është shprehur Islami.

Ai thotë se Policia dhe Prokuroria janë treguar joprofesioniste dhe nuk e kanë marrë rastin shumë seriozisht dhe për këtë për herë të parë dikush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë rast në mënyrë që të mos ndodhin edhe raste të tjera. “Shoqëria civile duhet bërë presion që fillimisht dikush të shkojë në përgjegjësi penale, pasi kanë shkuar dy jetë njerëzish. Të shkarkohen ose të ndërmerren masa të tjera ndaj atyre që si rezultat i neglizhencës së tyre sot kemi dy viktima”, ka thënë ai.

Në muajin maj të këtij viti Pjetër Nrecaj ishte paraburgosur për shkak të dhunës që kishte përdorur ndaj bashkëshortes së tij Valbona Marku-Nrecaj. Pas  një muaji ai ishte liruar edhe pse ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Nrecaj kishte provuar ta kthente ish-bashkëshorten, por ajo kishte refuzuar pasi ishte torturuar vazhdimisht nga ai. Ai kishte shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes të martën rreth orës 21:00 me një armë të tipit kallashnikov dhe kishte qëlluar disa herë në drejtim të ish-Valbona Marku-Nrecajt dhe të vajzës së tyre 9-vjeçare duke i lënë që të dyja të vdekura në vend