Para vrasjes Ndrecaj kishte maltretuar bashkëshorten e tij për 16 vjet me radhë

Kronika August 09, 2018 - 08:17
Lexo detajet

Rreth orës 21:00 të së martës, Pjetër Ndrecaj kishte marrë kallashnikovin dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij Valbona Marku-Ndrecajt, të cilën e kishte qëlluar bashkë me vajzën e tyre 9-vjeçare, duke i lënë të dyja të vdekura në vend. Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas refuzimit të kthimit të viktimës në shtëpinë e të dyshuarit, i cili për 16 vjet me radhë e kishte maltretuar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Jetesa me bashkëshortin e saj, 40-vjeçarin Pjetër Ndrecaj, ishte bërë e padurueshme pas 16 vjet dhune e maltretimi. Pavarësisht asaj që kishin 5 fëmijë dhe më shumë së një dekadë bashkë, i dyshuari Pjetër Ndrecaj nuk e ndalonte alkoolin dhe dhunën ndaj tashmë viktimës 40-vjeçare Valbona Marku-Ndrecaj, e cila të martën u qëllua me kallashnikov bashkë me vajzën e saj  9-vjeçare pikërisht nga ish-bashkëshorti i saj. Më 12 maj të këtij viti ishte hera e fundit që i dyshuari Pjetër Ndrecaj kishte ngritur dorë në gruan e tij Valbona Marku-Ndrecaj, për shkak se kjo kishte vendosur të shkonte në Stacionin Policor në Gjakovë ta paraqesë dhunën që ia shkaktonte bashkëshorti. Nga ajo ditë Valbona nuk ishte kthyer më kurrë për të jetuar me tashmë ish-bashkëshortin, i cili pas paraqitjes së rastit në Polici kishte qëndruar në paraburgim vetëm 30 ditë. Tre nga pesë fëmijët e tyre kishin shkuar për të jetuar me nënën në fshatin Brekoc të Gjakovës në familjen e Valbonës, ndërsa dy të tjerët jetonin me babanë e tyre.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, tregon gjithë ngjarjen që kishin rrëfyer në Prokurori familjarët e Valerianës. Sipas tij, një ditë pas daljes së tij nga paraburgimi më 12 qershor Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Pasi kishte dalë nga burgu, tashmë i dyshuari Pjetër Ndrecaj, kishte insistuar vazhdimisht dhe me çdo kusht që e ndjera të kthehej tek ai. Ai madje kishte mbledhur disa burra sipas traditës dhe kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve të Valerianës për të kërkuar kthimin e saj në shtëpi. “Kishte shkuar me disa burra në familjen e bashkëshortes së vet për ta bërë të mundur të bisedojë me vëllezërit e saj në aspektin e traditës dhe ajo të kthehej tek ai. Mirëpo ajo e ka treguar gjithë historinë e vet se si ai e kishte maltretuar gjatë gjithë kohës për 16 vjet sa ata kishin qenë bashkë. Hera e fundit ishte më 12 maj kur ajo e kishte denoncuar në Polici dhe kishte thënë se e ka shumë vështirë të kthehet të jetojë me të”, shprehet Selimaj. Pasi ish-bashkëshortja kishte refuzuar t’i kthehej, ai (i dyshuari) kishte dalë nga shtëpia i nervozuar dhe kishte vazhduar t’i dërgonte asaj mesazhe kërcënuese. “Atëherë është prishur muhabeti dhe i dyshuari bashkë me burrat që kishte shkuar për ta kthyer gruan kishte dalë nga shtëpia e vëllezërve të ish-gruas dhe pastaj i ka shkruar disa mesazhe kërcënuese. Viktima pas marrjes së këtyre mesazheve bashkë me vëllezër kishte shkuar rreth orës 16:00 dje në Stacionin Policor dhe kishte paraqitur rastin e kanosjes”, ka treguar ai.

Sipas kryeprokurorit Selimaj, nuk dihet nëse në aspektin juridik viktima dhe vrasësi ishin shkurorëzuar, mirëpo ndarje faktike të bashkësisë familjare kanë pasur. Selimaj i ka thënë gazetës “Zëri” se  tashmë e ndjera kishte shkuar bashkë me vëllezërit e saj në Polici të martën rreth orës 16:00 për ta paraqitur rastin e kërcënimit të ish-bashkëshortit. Menjëherë pas lajmërimit të rastit në Polici, organet e ndjekjes kishin nisur kërkimet për ta kapur të dyshuarin, mirëpo ai nuk ishte gjetur në shtëpi, as në lokalet ku dyshohej se mund të ishte.  Kërcënimin që ia kishte bërë përmes “Facebook”-ut: “Tash të pret një dhuratë e bukur ty edhe lulushit do ti dhem zemra”, Pjetër Ndrecaj tashmë ishte nisur ta realizojë. 

Me një kallashnikov në dorë ai kishte shtënë pa ndalur në drejtim të 40-vjeçares dhe të 9-vjeçares. “Policia ka hapur rast në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, e kanë kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij, në disa lokale në qytet, telefonin e kishte të mbyllur dhe nuk kanë arritur ta kapin. Rreth orës 21:00 e kemi marrë lajmin se ka shkuar te shtëpia e bashkëshortes dhe aty e ka vrarë atë dhe vajzën e tyre 9-vjeçare. Motivi ishte që me çdo kusht ish-bashkëshortja e tij të kthehej tek ai, pa dhënë ndonjë kusht që ta ndalë konsumimin e alkoolit dhe të dhunës që ushtronte ndaj bashkëshortes”, është shprehur Selimaj.

Rreth 30 fishekë kishte shkrepur i dyshuari në drejtim të ish-gruas e të vajzës së tij dhe te vendi ku është kryer krimi sipas kryeprokurorit Selimaj janë gjetur 18 gëzhoja. “Ai e kishte fshehur armën me të cilën e kishte kryer krimin, por ajo ishte gjetur nga Policia. Mbrëmë kemi dalë bashkë me policinë rreth orës 22:00, e kemi kërkuar armën ku e ka gjuajtur, sepse aty ka shkurre, e barishte të këqija. Pas dy orë kërkimesh e kemi gjetur armën dhe e konfiskuam. I dyshuari pas kryerjes së vrasjes kishte shkuar te një mik i tij dhe i kishte kërkuar ta dërgonte në Stacionin Policor që ta dorëzonte”, ka treguar Selimaj.

Keqësohet gjendja e të dyshuarit që vrau gruan dhe vajzën e tij

I dyshuari për kryerjen e vrasjes së dyfishtë të ish-bashkëshortes së tij, Valbonë Marku dhe të vajzës 9-vjeçare, Pjetër Ndrecaj është dërguar në Spitalin e Gjakovës. Shtrimi i tij në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë ka ardhur pasi gjendja e tij psikike është keqësuar. Lajmin për “Zërin” e ka bërë të ditur prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ali Uka. Prokurori Uka i ka thënë “Zëri” se nesër do të dërgohet në gjykatë edhe kërkesa për paraburgimin e të dyshuarit. “Po është në spital nuk e ka gjendjen psikike shumë të mirë, me siguri pas rastit që ka ndodhur. Është i shtrirë në spital. Kërkesën për paraburgim nesër do ta dërgojmë në gjykatë”, është shprehur ai.

Keqësimi i gjendjes së Pjetër Ndrecajt sipas prokurorit ka ardhur pas ngjarjes, i cili ka qëlluar për vdekje ish-gruan dhe vajzën e tij 9-vjeçare. “Nëse është në gjendje të vijë në gjykatë mirë, nëse jo, atëherë do të shkojmë në spital e do ta kryejmë seancën. Momentalisht do ta dërgojmë në paraburgim dhe në kuadër të Qendrës së Paraburgimit është edhe spitali”, ka thënë Uka.

Gjykata mohon fajin për neglizhencë në rastin e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë mohon të ketë pasur ndonjë neglizhencë sa i përket rastit që ndërlidhet me kërcënimin dhe me vrasjen e 40-vjeçares Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajzës së saj 9-vjeçare nga ish-bashkëshorti Pjetër Ndrecaj.

Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Gjakovë pohojnë se gjykata kishte kryer të gjitha obligimet e saj, mirëpo nuk kishte pasur kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit të tij dhe pas 30 ditësh qëndrimi në paraburgim ai ishte liruar.

Administratori i Gjykatës Themelore Gjakovë,  Rudin Elezi, i ka thënë gazetës “Zëri” se Pjetër Ndrecaj, i cili mbrëmë qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten dhe vajzën e tyre 9-vjeçare ishte kërkuar të dërgohet në ekzaminim psikiatrik, i cili edhe është dërguar. Elezi thotë se Gjykata Themelore në Gjakovë vazhdimisht ka vepruar sipas kërkesave të Prokurorisë. “Lidhur me kërkesën tuaj në pikën e parë, ju njoftojmë se Pjetër (Matej) Ndrecaj, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, nga Neni 188 par. 3, lidhur me par 1 të KPRK-së, sipas kërkesës së Prokurorisë, ka qenë në paraburgim nga data 12.05.2018 deri më datë 11.06.2018. Nuk ka pasur kërkesë tjetër për vazhdim të paraburgimit, por nga ana e Prokurorisë është kërkuar që ai të dërgohet në ekzaminim psikiatrik dhe është dërguar. Pra, Gjykata Themelore në Gjakovë ka vepruar sipas kërkesave të Prokurorisë”, ka thënë Elezi. Sipas tij, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit tash pas vrasjes ende nuk është dorëzuar në gjykatë nga ana e Prokurorisë. Më datë 12.06.2018 kundër të pandehurit Pjetër Ndrecaj është dorëzuar aktakuza në Gjykatë për veprën penale të lartcekur, andaj në këtë drejtim vlerësojmë se nga ana e Gjykatës nuk ka kurrfarë neglizhence. Sa i përket pyetjes së dytë, nuk është dorëzuar asnjë kërkesë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë”, ka bërë të ditur Elezi.

Ndërkohë rasti i Valbona Marku-Ndrecajt dhe vajzës së saj 9-vjeçare nuk është i pari dhe i vetmi në Kosovë. Që nga paslufta në Kosovë nga bashkëshortët e tyre janë vrarë disa femra, duke përfshirë: Diana Kastratin, Dafina Zhubin, Zejnepe Bytyqin, Antogona Morinën e shumë të tjera, vrasësit e shumë prej tyre vazhdojnë  ende të jenë të lirë.

Pjetër Ndrecaj kishte shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes të martën, rreth orës 21:00 me një armë të tipit kallashnikov dhe kishte qëlluar disa herë në drejtim të ish-Valbona Marku-Ndrecajt dhe vajzës së tyre 9-vjeçare duke i lënë që të dyja të vdekura në vend.