Arrestohen 16 persona, dëmtuan shtetin me 350 mijë euro shmangie

Kronika August 08, 2018 - 15:00
Lexo detajet

Në orët e para të mëngjesit e sotëm, Policia e Kosovës ka arrestuar 16 persona te dyshuar për disa vepra penale, përfshirë krim të organizuar,  kontrabandim të mallrave, shmangie nga tatimi, tregti e ndaluar  e disa vepra të tjera, raporton "Zeri.info". 

Përmes një konference për media, Prokuroria Speciale e Kosovës, Policia dhe Dogana e Kosovës kanë dhënë detaje të këtij aksioni, hetimet e të cilit kishin nisur para një viti.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha bëri të ditur se gjithë të arrestuarit janë shqiptarë të Kosovës.

Hoxha bëri të ditur se aksioni ka ardhur si rezultat i masave të fshehta që janë aplikuar ndaj të dyshuarve. Sipas tij aksioni është kryer në tri qytete, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan, ndërsa urdhri është lëshuar nga  Gjykata Themelore në Ferizaj.

Drejtori i Drejtorisë kundër krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Rexhep Fetahu pohoi se në këtë aksion janë konfiskuar 14 mijë cigare me banderola maqedonase, 15 automjete me të cilat dyshohet se janë kryer këto vepra penale.

Sipas tij, Bazuar në urdhëresën e Gjykatës, Policia e Kosovës bashkë me Doganën, Administratën Tatimore dhe Prokurorinë kanë implmentuar aksionin “Rrjeta”, si rezultat i të cilit në pranga kanë përfunduar 16 persona, ndërsa 7 të tjerë ende janë në kërkim.

“16 të arrestuar dhe 7 janë endë në kërkim. Janë sekuestruar 15 automjete  të cilat janë kryer veprat penale, 14 mijë cigare me banderola maqedonase, janë sekuestruar 37 mijë copë mjete higjenik për të cilat nuk është paguar dogana”, tha Fetahu.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Doganës, Blerim Krasniqi  bëri të ditur se të arrestuarit i kanë shkaktuar dëm shtetit të Kosovës  gati gjysmë milioni.

“Shuma e shmangur është 350 mijë euro, Gjithë ky mall i konfiskuar ka hyrë nga Republikë e Maqedonisë.  Grupi i organizuar ishte nga Ferizaj, Gjilani dhe Prishtina”, tha Krasniqi.

Ndërkohë prokurori Hoxha bëri të ditur se po përgatitet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 16 të arrestuarve .