Detaje për vrasjen e 54-vjeçarit në Fushë Kosovë

Kronika August 05, 2018 - 15:18
Lexoni më shumë detaje

Kishte 20 vite që punonte si rojë në një kompani private të Fushë Kosovës. Behram Ibishi disa herë përgjatë këtyre viteve punë ishte përballur me hajnat. Por ballafaqimi i fundit me ta doli të jetë fatal.

Në vendin ku ai punonte, persona të maskuar mbrëmë e gjuajtën me armë zjarri duke e qëlluar kështu me një plumb në pjesën mes zemrës dhe mushkërive.

54-vjeçari, pavarësisht plagëve të marra kishte arritur që ta thërras policinë.

“Më kanë gjuajt, jam plagosë”, u kishte thënë policisë përmes telefonit.  Ende nuk janë zbuluar vrasësit e punëtorit, shkruan Gazeta Express.

Policia e Kosovës i ka nisur hetimet. Thonë se nuk i dinë ende arsyet e kësaj vrasjeje.

“…Një person B.I., 54 vjeç, nga persona të dyshuar është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti pas transportimit ne QKUK ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë i viktimë me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Familjarët e viktimës  kanë shpjeguar rreth lajmit për vrasjen e 54-vjeçarit.

Familja kishte hapur të pamën dhe po priste persona të shumtë për ngushëllime. Vëllai i viktimës, tha se ky nuk është sulmi i parë i cili po i bëhet vëllait të tij në vendin e punës.

Duke mos e ditur arsyen e vrasjes të së vëllait, ai thotë se edhe disa herë të tjera Behrami në vendin e njëjtë të punës është ballafaquar me hajnat.

“Lajmin për vdekjen e kemi marrë  mbrëmë rreth orës 03:00. Ka punu rojë në objektin e ‘Lesnës’ që 20 vite.  Na nuk e dimë rastin se qysh ka ndodhë. Ne e dimë se këtu e kemi përcjellë kur ka shku në punë në orës 16:00, Probleme nuk kemi pas e as nuk kemi si familje me askënd”, rrëfen për rastin vëllai i viktimës i cili thotë se do të kërkojnë drejtësi në organet përgjegjëse.

Në kompaninë ku kishte punuar Behrami, kolegët e kanë përshkruar atë si njeri punëtor dhe jo problematik.

Thonë se që 20 vite disa herë ishte ballafaquar me tentim vjedhje të ndryshme nga persona të panjohur.

“Ka qenë njeri i urtë dhe shumë punëtor. Asnjëherë, kurrë problem më askënd nuk ka pas. Të gjithë i ka respektu. Po që mbrëmë i qëlloi fati i keq”, thotë njëri nga kolegët e tashmë të ndjerit.

Ata deklarojnë se gjatë punës në kompaninë private edhe vet disa herë janë sulmuar nga hajnat.

Varrimi i 54 vjeçarit, Behram Ibishi do të bëhet sot në orët e pasdites. Ai ishte i martuar dhe la pas 5 fëmijë, një djalë e 4 vajza.

Në vendin e tij të punës po ashtu para disa ditëve është vrarë me armë zjarri dhe një rojë tjetër i një marketi në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit.