Dorëzohen edhe 82 kallëzime penale për “Krime lufte” në Prokurorinë Speciale

Kronika August 04, 2018 - 09:23
Mësoni më shumë detaje

Asnjë dëshmitar, dëshmia e të cilëve është deponuar në Prokurorinë Speciale, nuk është ftuar të intervistohet nga Prokuroria, megjithatë përfaqësues të Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për “Krime lufte” dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale kundër krimeve serbe gjatë luftës së viteve 1998/1999 në komunën e Gjakovës të premten kanë dorëzuar edhe kontingjentin e gjashtë, i cili përbëhet prej 82 kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë. Nga kallëzimet penale që janë dorëzuar deri më tash në Prokurorinë Speciale janë të përfshirë emrat e më shumë serbëve të dyshuar për “Krime lufte”, shkruan sot Gazeta "Zëri".                       

Mbi 500 emra të personave të dyshuar për “Krime lufte” janë të përfshirë në dëshmitë e dorëzuara deri më tash nga përfaqësues të Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për “Krime lufte” dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale kundër krimeve serbe gjatë luftës së viteve 1998/99 në komunën e Gjakovës. Kështu ka pohuar Mevlude Saraqi-Mezini pas dorëzimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Departamenti për Krime Lufte. Sipas saj, në këto kallëzime penale janë të gjitha dokumentet e nevojshme që dëshmojnë se ata persona kanë kryer krime në Gjakovë. “Sot e dorëzuam kontingjentin e gjashtë, i cili përbëhet prej 82 kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë të cilët kanë kryer krime lufte kundër popullatës së Gjakovës. Këto kallëzime penale janë të përmbushura me dëshmi, me fotografi, me fakte, me deklarata, me nënshkrime dhe me dokumente përcjellëse”, tha ajo.

Është fat i keq që Kosova sipas saj, ka arritur gati në përfundimin e dekadës së dytë dhe nuk është dënuar asnjë kriminel. Mezini shpreson që kësaj radhe kallëzimet penale nuk do të flenë në sirtarë, siç kanë fjetur më përpara në sirtarët e UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Ajo beson që shteti i Kosovës dhe drejtësia e pavarur t’i kryejë të gjitha rastet me nder, që kriminelët e vërtetë të dënohen. Sipas saj, pavarësisht dorëzimit të disa kallëzimeve penale deri më tash asnjë dëshmitar nuk është thirrur nga Prokuroria Speciale. “Ne jemi të sigurt se janë duke punuar sepse na kanë treguar se lëndët janë ndarë te disa prokurorë, na kanë përmendur disa emra që na kanë bindur se po punojnë me lëndët, mirëpo ende asnjë dëshmitar, të cilët kanë deponuar dëshmitë e tyre, nuk është ftuar nga Prokuroria”, ka thënë Saraqi-Mezini. Ajo dha një mesazh për gjithë kriminelët, duke bërë të ditur se krimi nuk plaket dhe kriminelët herdokurdo do të përgjigjen para drejtësisë. Mezini i bëri përgjegjëse për moszbardhjen e këtyre rasteve të gjitha qeveritë që nga paslufta e deri te kjo e fundit.

Ndërsa Shkëndije Hoda nga ky Grup i Shoqërisë Civile pohoi se shumë qytetarë të Gjakovës janë të gatshëm të dorëzojnë fakte për krimet e kryera. “Gatishmëria shihet dita-ditës, nuk ka ditë që nuk vijnë palë që t’i paraqesin krimet e kryera nga serbët dhe ne vazhdojmë të punojmë me orar të plotë. Do të mundohemi deri në fund të procesit të kësaj pune t’i nxjerrim të vërtetat e hidhura që kanë ndodhur në komunën e Gjakovës”, tha ajo, shkruan Gazeta "Zëri".

Blakaj: Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë aq sa duhet në këtë aspekt

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), Bekim Blakaj, ka thënë se autoritetet vendore nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë aspekt. Ai për “Zërin” ka thënë se është momenti i fundit që edhe nëse nuk duan autoritetet serbe pala kosovare ta shtyjë këtë temë qoftë edhe përmes dialogut në Bruksel. Blakaj e sheh si të domosdoshëm një bashkëpunim të tillë mes këtyre dy shteteve. “Unë mendoj që është me rëndësi vendosja e bashkëpunimit mes prokurorive për krime lufte mes Kosovës dhe Serbisë, diçka që Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FHD) e ka kërkuar me vite”, është shprehur Blakaj. Madje ai shprehet skeptik nëse autoritetet e Kosovës kanë bërë një kërkesë të tillë ndonjëherë, duke shtuar se FHD-ja ka kërkuar që kjo çështje të futet në dialogun politik në Bruksel, gjë e cila deri më tash nuk ka ndodhur. 

Ndërkohë ditë më parë në një konferencë për medie kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pati deklaruar se mosbashkëpunimi i autoriteteve serbe me ato kosovare rreth ekstradimit të personave të kërkuar, në veçanti ata për “Krime lufte”, ka bërë që Prokuroria e Shtetit të shqyrtojë mundësinë e gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në mungesë të personave të akuzuar. Kryeprokurori Lumezi kishte pohuar se është duke u rishikuar mundësia që personat për “Krime lufte” të gjykohen në mungesë dhe në momentin e kapjes së tyre nga autoritetet kosovare ndaj të tyre të mbahet një gjykim i shkurtër që t’u jepet mundësia e deklarimit të tyre rreth akuzave ndaj tyre./ZËRI