Prokurori jep detaje tronditëse për vrasjen e 22-vjeçarit në Bresalc

Kronika July 29, 2018 - 18:17
Detaje të reja

Fatlind Arifi, është 22 vjeçari që vdiq natën e kaluar pasi u qëllua me armë në Bresalc të komunës së Gjilanit.

Por kjo nuk është e gjitha. Arifi jo vetëm që u qëllua me armë të llojit ‘TT’ dhe humbi jetën, personi i dyshuar u mundua edhe t’ia vë fajin mbi vete.

Liridon Uruqi, i dyshuari kryesor në këtë rast ka tentuar që përmes dëshmitarëve të bëjë që ngjarja të duket ndryshe. Pra të tingëllojë si vetëvrasje e kryer nga i riu 22 vjeçar.

Këtë gjë e ka konfirmuar për Indeksonline, Prokurori i rastit Agron Uka.

Uka ka theksuar se në vendin e ngjarjes ishte viktima, i dyshuari dhe tre dëshmitarë të tjerë.

LEXO EDHE: Rrëfehen familjarët e 22-vjeçarit të vrarë në Bresalc të Gjilanit

“Është shumë vështirë në këtë fazë të flitet për qëllimin apo arsyen se pse është ardhë deri te vrasja, pasi ende nuk kanë kaluar as 24 orë.Pra jemi në fazën e hetimeve, duhet edhe intervistimi i familjarëve pas përfundimit të procedurave të varrimit.Vetë i dyshuari ka dashtë të montojë rastin përmes dëshmitarëve, ata të cilët kanë qenë aty, pra tre dëshmitarëve u ka thënë se nuk guxoni të tregoni se unë kam shtënë në drejtim të tij por ai ka dashtë të bëjë vetëvrasje,pra ka kryer vetëvrasje. Pra në vend të ngjarjes kanë qenë tre dëshmitarë, viktima dhe i dyshuari. E mira e gjithë kësaj ka qenë se të tre dëshmitarët kanë arritur të kapen në vend të ngjarjes shumë shpejtë, aty për aty. Policia, pra Njësia Speciale vrullshëm ka intervenuar, kanë bllokuar gjitha anët dhe kanë arritur të kapin të gjithë dëshmitarët. Kjo është plus se nuk kanë arritur as të komunikojnë dhe çdo deklaratë e tyre përputhet me ngjarjen si ka ndodhur, si ka qenë. Njëri nga dëshmitarët njëherë ka hezituar të tregojë si ka ndodhur por me bindjen tonë duke i shpjeguar rrugën ligjore dhe pasojat që do të mund t’i krijoheshin ai ka treguar të vërtetën”, ka thënë Uka për Indeksonline.

Sipas prokurorit Uka, dëshmitarët janë frikësuar nga ai dhe se Uruqi ka një dosje të gjerë, shumë të keqe lidhur me krime të ndryshme.

Në nëntor të vitit të kaluar, Indeksonline pati raportuar lidhur me një tentim-vrasje në qendër të Gjilanit.

I dyshuari për tentim-vrasjen e viktimës B.T, ishte pikërisht Liridon Uruqi.

Uruqi në atë kohë pati qëndruar në paraburgim por duke u liruar më pas. Por vendimi për këtë rast është marrë tani, afro një muaj më parë, duke u dënuar me dy vite burg efektiv të cilat od të duhej t’i vuante tani.

“Rasti në nëntor të vitit të kaluar ka qenë tentim-vrasje, jo nuk është liruar por është dënuar tash ndoshta para një muaji me burg efektiv prej dy vitesh. Tash  ka pas kohën për vuajtje të këtij dënimi, kështu që ligjërisht duhet me u ndjek ende. Ma merr mendja që tash është dënuar dhe procedurat ligjore dihet si shkojnë me ankesa dhe gjithçka tjetër por është dënuar me dy vite për rastin në fjalë, tentim-vrasje”,ka thënë Uka.

Prokuroria Uka ka deklaruar poashtu se tashmë është ende duke punuar për rastin dhe duke parë kërkesën për paraburgim dhe se pritet që nesër të merret edhe vendimi lidhur me rastin e mbrëmshëm ku humbi jetën 22 vjeçari.

Ndërkohë Uruqi ka pranuar veprën e bërë por duke e cilësuar si vepër e realizuar aksidentalisht.

“E ka pranuar veprën por jo në këtë formë. Ky pretendon se vrasja ka qenë aksidentale, pra është version i tij. Por rasti do të vazhdojë, do të merren në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë dhe do të mblidhen të gjitha detajet lidhur me rastin. Ka qenë në arrati dhe është kap sot në mëngjes në  hyrje të Gjilanit, ka qenë në veturën e tij të llojit ‘Mercedes, nga puna operative e Njësisë Speciale me bashkëpunëtorët e tjerë. Kanë arrit ta kapin dhe duhet ditur se dosja e tij kriminale është mjaft e gjerë dhe është i rrezikshëm. Viktima është qëlluar nga një largësi tre metra dhe goditjen e ka pikërisht në zemër dhe lloj i armës është TT, 7.62 milimetër”, ka përfunduar Uka.