Denoncon në polici rastin e rrëmbimit, por hetimet e nxjerrin të kundërtën

Kronika July 26, 2018 - 16:00
Detajet

Një person është arrestuar nën dyshimin e përfshirjes në rastin e keqpërdorimit të besimit, lajmërimit të rrejshëm dhe për ndihmën në kryerjen e veprës penale. Të paktën kështu njofton policia e Kosovës përmes një komunikate për media, raporton “Zëri.info”.

“Dje në ora 19:10, është arrestuar një person për të cilin dyshohet me arsye të jetë i përfshirë në rastin  keqpërdorim i besimit, lajmërim i rrejshëm, ndihmë në kryerjen e veprës penale. Denoncimi në polici është bërë me datë 16.07.2018, nga G. Halili 54 vjeç, i cili i ka lajmëruar policinë se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, nga persona të armatosur nën kërcënimin e armës është futur në një veturë dhe është dërguar në një fshat në periferi të Prishtinës, me ç ‘rast i janë marrë me dhunë para kesh 16800 euro”, thuhet në komunikatën e policisë.

LEXO EDHE: Gjykata e ‘harron’ gjykimin e Ukë Rugovës

Sipas policisë e gjithë kjo ka qenë një inskenim i bërë nga vet ai për qëllime të përfitimeve materiale.

“Duke e marrë si shqetësues denoncimin e bërë, strukturat profesionale të policisë për trajtimin e rasteve të tilla, kanë filluar menjëherë me intervistimin e thellë të  denoncuesit me qëllim të ndriçimit të detajeve. Bazuar  në veprimet e menjëhershme hetimore dhe operative, hetuesit kanë ardhur në përfundim që, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka lajmëruar rrejshëm rastin në polici dhe ka inskenuar ngjarjen për arsye të përfitimit material  të shumës së sipër cekur të parave të cilat do duhej ti depononte si pazar ditorë në emër të kompanisë ku ishte i punësuar”, thuhet tutje atu,

Policia po ashtu njofton se ky rast nuk është kryer vetëm nga ai por që ka pasur edhe persona tjerë të përfshirë.

“I dyshuari të gjitha këto veprime i ka kryer në bashkëveprim edhe me personin tjetër të dyshuar B. Moni, i cili po ashtu është intervistuar nga ana e policisë. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit i dyshuari kryesor, G. Halili është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, përderisa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërlidhur me rastin policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit kryesor. Ndërkohë që janë kryer veprimet e lartcekura policore, hetuesit po vazhdojnë hetimin e mëtejmë me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të këtij rasti”, përfundon komunikata. /ZËRI