Aksidentet në trafik, flasin ministria dhe ekspertët

Kronika July 24, 2018 - 19:34
Lexoni më shumë detaje

Nga aksidentet që kanë ndodhur ditëve të fundit, disa persona kanë humbur jetën – ndërsa nga janari deri më 15 korrik, 59 persona kanë pësuar tragjikisht.

Bekim Ahmeti, eksperti i komunikacionit, ka thënë se njeriu është faktori kryesor në shkaktimin e këtyre aksidenteve.

“80 ose 85% të tyre shkaktohen nga faktori njeri, pjesa tjetër shkaktohen nga gjendja teknike e veturës ose nga gjendja rrugëve”, ka thënë Ahmeti.

“Aksidentet ndodhin si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë, përdorimit të telefonit dhe konsumimit të alkoolit si dhe masave të dobëta preventive”.

Ahmeti ka thënë se për t’u ulur numri i aksidenteve institucionet relevante duhet të vendosin radar statik nëpër rrugët lokale, ato magjistrale dhe regjionale.

“Sistemi i radarëve nuk kushton shumë 20 mijë deri në 25 mijë euro një pajisje”.

Nderkaq, Policia e Kosovës ka themeluar një “Task Forcë” për parandalimin e aksidenteve rrugore, njofton Klan Kosova.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të eliminohen rastet e aksidenteve dhe rrjedhimisht edhe vdekjet në trafik.

“Krahasuar me vitin e kaluar janë 1300 aksidente më pak. Kosova nuk është vend që ka probleme të mëdha me aksidente”, ka thënë Zeka për Klan Kosova.

“Policia e Kosovës ka mekanizma të ndryshëm dhe trafiku është pjesë e veçantë, por tash një pjesë e  madhe e policisë do të jetë ndihmesë në trafik”.

“Trafiku po e kryen punën profesionale, por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes”.

“Secili duhet të jetë polic për vete”.

Zeka ka theksuar se nëse respektohen rregullat nuk do të ketë aksidente dhe vdekje.

“Nëse respektohen rregullat, mundësitë për të pasur aksidente janë shumë të vogla”, ka thënë ai ndër të tjera.