Prokurori Blerim Igrishta thotë se u sulmua nga një dëshmitar në korridor të gjykatës

Kronika July 23, 2018 - 19:05
Detajet

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka ndodhur një incident mes prokurorit Blerim Igrishta dhe një personi i cili kishte ardhur në cilësinë e dëshmitarit në gjykatë.

Sipas prokurorit Igrishta, personi emri i të cilit nuk është bërë i ditur, kishte ardhur i ftuar si dëshmitar në një rast që po zhvillohej në Departamentin e Përgjithshëm, te gjykatësja Lumnije Krasniqi.

Mirëpo sipas Igrishtës, në momentin që dëshmitari ishte njoftuar se seanca nuk do të mbahet, i njëjti kishte krijuar debat lidhur me shtyrjen e gjykimit.

LEXO EDHE: Dëshmitari sulmon prokurorin në Pallat të Drejtësisë

Ndërkaq, me të dalë nga salla e gjykimit, personi në fjalë e kishte sulmuar prokurorin Igrishta duke e kapur për krahu, dhe i ishte drejtuar me fjalët “hej, o haver, nalu”.

Në një prononcim për “Betimi për drejtësi”, prokurori Igrishta tha se dëshmitari i ishte drejtuar edhe me fjalë të ndyra, dhe nuk po ia lëshonte krahun pavarësisht përpjekjeve të tij për ta larguar.

Ndërsa pas gjithë kësaj situate të krijuar, kishin ndërhyrë edhe sigurimi i Gjykatës Themelore.

Prokurori Igrishta tha se nuk ka njohuri për personin që e kishte sulmuar, vetëm se i njëjti është shoqëruar nga ana e policisë dhe ndaj tij  është kërkuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Aktualisht prokurori ka konfirmuar se për këtë rast është duke dhënë dëshminë e tij në polici.

Në stacionin policor jugu 4, ku edhe ishte dërguar personi i cili ka shkaktuar këtë incident, nuk dhanë detaje  për rastin duke thënë se duhet drejtuar në rajonin qendër./BetimiPerDrejtsi