Për 24 orë dy aksidente me fatalitet - Policia apelon tek qytetarët për kujdes

Kronika July 22, 2018 - 11:05
Lexo detajet

Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarë e Kosovës për kujdes më të shtuar në komunikacion, transmeton "Zëri.info".

Policia thotë se situata e sigurisë në rrugët e Kosovës mbetet shqetësuese për kundër masave të marra për shtimin e sigurisë në rrugë. 

Sipas njoftimit të policisë vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar dy aksidente me fatalitet.

“Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet dhe apelojmë për një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, për një gjendje më të mirë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se  po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim për të gjithë dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore.