Detajet e fundit për dy malazezët të dyshuar për sulme në Kosovë

Kronika July 21, 2018 - 12:33
Detajet

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se lidhur me arrestimin e dy shtetasve malazez, një serbi dhe një femre shqiptare, tani është bërë identifikimi edhe i dy personave tjerë shtetas malazez të dyshuar për të njëjtën vepër penale, shkruan “Zëri.info”.

Këtë gjë për “Zërin”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i cili ka thënë se këta të dyshuar tanimë gjenden në burg po që përdorin një identitet tjetër.

“Pas arrestimeve ditë më parë, gjatë një operacioni taktik nga Policia e Kosovës, të dy shtetasve malazë, një serbi dhe një shqiptareje, dhe bashkëpunimit reciprok intenziv ndërmjet autoriteteve tona dhe atyre malazeze, me qëllim të verifikimeve të ndryshme dhe ndërlidhjeve që janë bërë për rastin e të dyshuarit (M.M.). Ka rezultuar se tani më kemi nën kontroll edhe dy shtetas tjerë malazez të cilët ndodhen në burg në vendin tonë por që përdornin identitet tjetër”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Ai po ashtu ka konfirmuar se Policia e Kosovës është në partneritet të vazhdueshëm edhe me autoritet ndërkombëtare që garantojnë sigurinë në vend.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, në luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe nuk do t'i lejoj askujt veprimet apo aktivitetet që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit dhe atë përmes një bashkëpunimi dhe partneriteti të vazhdueshëm edhe me autoritetet tjera ndërkombëtare dhe të sigurisë”, ka përfunduar ai. /ZERI