Tritol pranë shtëpisë së ministrit të Brendshëm

Kronika July 20, 2018 - 12:45
Lexo detajet

Një shpërthim me eksploziv tronditi Tiranën gjatë natës, pikërisht rreth orës 02:10. Një dyqani në pronësi të Drita Lulos, motrës së gjyqtarit Fatos Lulo i është vënë tritol.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ymer Kurti” dhe policia ndodhet nën presion për ta zbardhur. Kjo pasi përveçse ka të bëjë me një biznesmene, motrën e një gjyqtari, po ashtu ngjarja ka ndodhur pranë banesës së ministrit të Brendshëm

Fatmir Xhafaj jeton pranë zonës ku edhe ndodhi shpërthimi, fatmirësisht pa pasojë në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Gazeta Shqiptare mëson se Drita Lulo ndodhet jashtë vendit, ndërsa në polici janë thirrur të afërm të saj dhe banorë të pallatit, ku u vendos eksplozivi.

Emri i Drita Lulos u bë i njohur për publikun në mars të këtij viti, kur vëllai i saj Fatos Lulo, i cili ishte emri i parë që nuk arriti të kalojë Vettingun, e përmendi në historinë e vetëdeklarimit. Ai pretendoi se, në vitin 2005, kur ishte ende avokat, i ktheu një shumë të marrë borxh prej 480 mijë dollarësh. Pra e motra i kishte dhënë hua të vëllait gjyqtar 480 mijë dollarë.

Ndërkaq, vetëm 3 vjet më vonë, pikërisht në 2008-ën Drita i dhuron sërish 100 mijë dollarë të vëllait e në vitin 2009, plot 200 mijë (një zyrë prej 172 metrash katrorë në Tiranë).

Drita Lulo është biznesmene në fushën e ndërtimit. Ajo, me profesion inxhiniere ka në pronësi të saj, si aksionere, plot 4 kompani të cilat lidhen me investimet në fushën e hidrocentraleve dhe marrjen me konçension të tyre. Zonja Lulo rezulton ortake.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 20.07.2018, rreth orës 02:10, në rrugën “Ymer Kurti “, në katin e parë të një pallati, pranë qepenit të një dyqani bosh, në pronësi të shtetases D. L., ka ndodhur një shpërthim i dyshuar nga lëndë plasëse të llojit eksplozivë, ku ka pasur vetëm dëme materiale.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.