Tentoi të vriste Lul Berishën para 13 vjetësh, ekstradohet në Shqipëri kosovari

Kronika July 20, 2018 - 10:29
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Tirana ka ekstraduar nga Kosova Ahmet Ajetin, nga Lipjani, i dënuar me 20 vjet burg për tentativë vrasje ndaj Lul Berishës.

“Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit, Kosovar, Ahmet Ajeti , 35 vjeç, lindur në Lipjan/ Kosovë”, njofton policia e Shtetit.

Më 30 gusht të 2005 Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën është vetplagosur.

Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje” .

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë. /Tch