Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për të arrestuarit në kërkim ndërkombëtar

Kronika July 20, 2018 - 07:50
Lexo detajet

Dy shtetas të Malit të Zi, Mari Milosheviq dhe Gjorgje Paviçeviq, të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vrasje, një shtetas i Serbisë dhe kosovarja Laureta Zyba (valltare), përfunduan të mërkurën në pranga të Policisë së Kosovës. Një ditë pas arrestimit të tyre Policia e Kosovës bën të ditur se kapja e tyre ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të organeve të ndjekjes në Kosovë dhe autoriteteve malazeze, shkruan sot Gazeta "Zëri".                                                                                               

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha ka pohuar se operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.     

LEXO EDHE: Kompromiset e mëdha vështirësojnë fazën finale

“Policia e Kosovës në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet malazeze, më datën 18.07.2018, në Prishtinë, ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar e që dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasje”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, të arrestuarit në këtë rast janë M. M. 37-vjeçar,  J. P. 30-vjeçar, që të dy shtetas të Malit të Zi, S. D. 22-vjeçar, shtetas i Serbisë, si dhe  L. Z. 23-vjeçare, shtetase e Kosovës.                               

Të njëjtit dyshohet të jenë përfshirë edhe në veprat penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armës”.

Sipas Policisë, me vendim të prokurorit katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. 
Kërkesa e Prokurorisë

30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria Themelore në Prishtinë për katër të arrestuarit, dy prej tyre shtetas malazezë të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vrasje, një serb dhe një femër kosovare.                                                                                                                                                   

 Të enjten, një ditë pas arrestimit të tyre, Prokuroria Themelore ka dorëzuar kërkesën e saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë për paraburgim të katër të dyshuarve për përfshirje në veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armës”.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit Ekrem Lutfiu ka pohuar se e gjitha çfarë mund të deklarojë Prokuroria është ajo që kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatë.                             

“Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit për katër të arrestuarit”, ka bërë të ditur Lutfiu, duke shtuar se nuk mund të japin informata të tjera pasi rasti është në fazën e hetimeve.                                                                                                                                         

Ndërkohë, ende nuk dihet nëse dy të arrestuarit e kërkuar nga autoritetet malazeze do të ekstradohen në Mal të Zi ose do të gjykohen nga drejtësia kosovare, pasi të njëjtit dyshohen edhe për disa vepra penale të kryera në Kosovë. 

Ministria e Drejtësisë thotë se ekstradimi varet nga vendimi i Gjykatës

Zyrtarë nga Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë bëjnë të ditur se ekstradimi i dy shtetasve të Malit të Zi dhe atij të Serbisë varet nga vendimi që do të marrë gjykata kompetente në Kosovë, që në këtë rast është Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se ekstradimi varet nga vendimi i Gjykatës, andaj pa vendim gjykate nuk ka ekstradime, kështu që gjithçka varet nga Gjykata dhe jo nga Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu në mes Republikës se Kosovës dhe Republikës se Malit të Zi ekstradimet realizohen mbi bazën e parimit te reciprocitetit”, kanë bërë të ditur zyrtarë të MD-së nga ky departament.

Leposhtica: Seanca e ekstradimit të tyre duhet të mbahet brenda 40 ditëve

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të drejtësisë pohojnë se brenda 40 ditëve duhet të mbahet seanca për ekstradimin e tre shtetasve të huaj.                                                                       

Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore dhe i projektit të monitorimit të gjykatave në BIRN, thotë se përderisa për shtetasen e Kosovës do të zhvillohen procedurat në vend nëse Prokuroria gjen prova që argumentojnë përfshirjen e saj në këtë aktivitet.                                     

 Ndërsa sa u përket dy shtetasve të Malit të Zi dhe shtetasit të Serbisë, Leposhtica pohon se procedura zakonisht në raste të tilla kur mblidhen prova vazhdon me kërkesë të Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë dhe nëse Gjykata e gjen të mbështetur këtë kërkesë cakton masë të sigurisë e që mund të jetë paraburgim ose ndonjë masë më e butë deri në momentin kur do të mbahet seanca e ekstradimit.                                                                                                             

“Seanca e ekstradimit duhet të mbahet brenda 40 ditëve dhe aty vendoset nëse këta shtetas do të ekstradohen në shtetet e tyre, sepse në momentin kur dikush futet në listën e INTERPOL-it dhe kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar, atëherë kudo, secili vend që i arreston të kërkuarit obligohet që ta trajtojë çështjen e tyre”, ka pohuar Leposhtica.                                                               

Më sfiduese në rastin konkret, sipas Leposhticës, është situata me shtetasin serb, pasi Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje ekstradimi dhe në këtë rast si mundësi nuk mund të përjashtohet edhe dëbimi i tij i drejtpërdrejtë dhe dorëzimi i tij tek autoritet e Serbisë.             

Megjithatë, Leposhtica pohon se nëse provohet se këta shtetas kanë kryer veprime që përbëjnë vepra penale në Republikën e Kosovës, atëherë autoritetet kosovare ose mund t’i mbajnë në Kosovë deri në shlyerjen e dënimit eventual, ose t’ua shtojnë edhe një vepër të re në dosjet e tyre dhe ta kryejnë dënimin në vendin e tyre.

KMDLNJ: Njëri nga të arrestuarit u keqtrajtua nga Policia

Në anën tjetër, monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) gjatë ditës së enjte kanë vizituar katër personat e arrestuar mbrëmë në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.                                                                                                             

 KMDLNJ-ja ka shprehur shqetësimin se i arrestuari M. K., 37 vjeç, është rrahur nga Policia e Kosovës gjatë dërgimit të tij në stacionin policor.                                                                

“Ai deklaron se afërsisht 1 orë i prangosuri është rrahur nga Policia e Kosovës – Njësia Speciale, duke thënë se kanë qenë afërsisht 30 policë. Ai i ka thënë KMDLNJ-së se asgjë nuk e ka provokuar Policinë për përdorim të forcës ndaj tij.

Gjithashtu ai ka thënë se sjelljet e Policisë në stacionin policor kanë qenë korrekte e sidomos në Qendrën e Ndalimit, ku nuk ka asnjë vërejtje”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.                                                                                               

KMDLNJ-ja deklaron se paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut përdorimi i forcës ndaj personave të privuar nga liria, sidomos të atyre që janë të neutralizuar, me pranga në duar.     

Ndryshe, sipas raportimeve të medieve malazeze Mario Millosheviq ishte i arrestuar për një vrasje në Cetinje të Malit të Zi. Kurse Gjorgje Paviçeviq ishte i akuzuar për veprën penale “Rrëmbim dhe zhvatje” në një rast që kishte ndodhur në vitin 2015 në Kotor. I njëjti kishte ikur nga spitali ku po e vuante dënimin.

Po ashtu sipas medieve malazeze dyshohet se i arrestuari Mario Millosheviq kishte kryer edhe vrasje të tjera në Mal të Zi si pasojë e një konflikti mes grupeve të armatosura, të cilat vazhdojnë të jenë objekt hetimi nga Policia e Malit të Zi.