Azem Vllasi: Pas plagosjes pata thirrje me prefiks rus

Kronika July 17, 2018 - 09:38
Lexoni më shumë detaje

Organizatë kriminale dhe terroriste e ka quajtur “Syrin e Popullit” avokati Azem Vllasi derisa dje para Gjykatës rrëfente momentin e plagosjes së tij nga i dyshuari Murat Jashari, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Jashari, njëri nga të pandehurit e këtij rasti, akuzohet në lidhje me sulmin që ndodhi ndaj avokatit Azem Vllasi, i cili ishte plagosur në mars të vitit të kaluar në afërsi të banesës së tij në Prishtinë.

“Për organizatën kriminale, terroriste “Syri i Popullit” kam dëgjuar pas sulmit ndaj meje. Unë personalisht kërcënime me telefon, me letra ose kërcënime personale që kanë lidhje me integritetin tim personal nuk kam pasur. Ngjarjen e 13 marsit do ta mbaj mend gjithë jetën. Më 11 mars 2017, e shtune, isha në Kamenicë për vikend. Nuk mundem t’i mbaj mend të gjitha telefonatat, por e mbaj mend që më ka thirrur një Ramiz Mavriqi, me të cilin njihem që nga rinia dhe më tha se një njeri kishte nevojë për disa konsultime avokatie. Ai kërkoi numrin tim të telefonit, unë i thashë le të lajmërohet të hënën dhe të shoh se për çka bëhet fjalë”, është shprehur Vllasi, shkruan më tutje "Zëri".

Ai vazhdon dëshminë e tij duke thënë se nuk kishte lënë takim me askënd dhe se derën e zyrës së tij në ditën kritike e kishte hapur, duke menduar se ishte ndonjë nga komshinjtë e tij.                         

“Të hënën, më 13 mars, nuk kisha asnjë takim dhe bie zilja para orës 8:00. Pasi ra zilja nja dy herë unë vendosa ta hap derën, duke menduar se mos është ndonjë komshi. Kur hapa derën po e  shoh një njeri që mbante diçka në dorë dhe e pyeta çfarë problemi ka. Ai tha se ka çështje pronësore dhe unë i thashë ka disa vjet që nuk merrem me këto çështje. Ai insistonte të hynte brenda. Më tha se e kishte dërguar Ramiz Mavriqi. Unë i thashë ai më ka thirrur, po nëse je ti që të ka dërguar ai është në rregull edhe pse unë i kisha thënë të më telefononte e jo të vinte në zyre. Kur kam dalë për t’ia dhënë letrën ky ishte kurdisur me revole në dorë dhe me shurdhues dhe ka mësyrë të hyjë brenda. Jam ballafaquar fyt për fyt me të dhe ai ka arritur të gjuajë me armë”, ka rrëfyer Vllasi.

Derisa Vllasi në cilësinë e dëshmitarit po rrëfente ngjarjen, i akuzuari Murat Jashari herë pas here ndërhynte duke thënë se ai po gënjen.

Më tutje Vllasi ka treguar se në momentet që po ballafaqohej me të akuzuarin Murat Jashari bashkëshortja e tij ishte duke përgatitur kafen e mëngjesit dhe menjëherë kur e ka parë ngjarjen ka bërtitur.

Dëshmitari ka thënë se as para plagosjes së tij, por as pas asaj ngjarjeje nuk kishte pasur ndonjë kërcënim ose shqetësim nga askush.

Vllasi: Pas plagosjes kam pasur thirrje me prefiks rus

Megjithatë, sipas tij, një ditë pas plagosjes pasi kishte arritur ta merrte veten kishte kontrolluar telefonin e tij për të parë se kush e kishte telefonuar dhe njëri nga numrat që e kishte telefonuar kishte qenë me kod rus. 

“Të nesërmen e mora veten dhe shikova kush ka telefonuar në telefonin tim personal, kam gjetur shumë telefonata dhe mesazhe dhe ajo që më ka rënë në sy, i kam gjetur dy telefonata kah ora 7:00 ose 8:00 në mbrëmje me kodin rus”, ka treguar ai.

Vllasi ka pohuar se pas plagosjes së tij në mars të vitit të kaluar më nuk ndihet i sigurt në asnjë aspekt.

“Kam humbur sigurinë që e kisha, sepse nuk po e di kush, çfarë skenarësh po bëhen për destabilizim të Kosovës. Më ka rënë intensiteti i punës, kam pasoja emocionale, psikike e fizike”, ka thënë ai.

Përveç prokurorit, Vllasi është ballafaquar edhe me pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve dhe nga vetë të akuzuarit.  Ai madje i ka quajtur shkarravina shkrimet e Sadri Ramabajës, njërit nga të akuzuarit e këtij rasti, derisa ka shtuar se asnjëherë nuk ishte kundër Republikës së Kosovës. Ndërsa arsyetoi deklaratën e tij rreth shkrimeve të Ramabajës, duke thënë se i ka lexuar dhe se në ato shkrime është shprehur urrejtje kundër tij.

Vllasi: Me këto kushte mund të heq dorë nga ndjekja penale

I dëmtuar, por kësaj here në cilësinë e dëshmitarit Vllasi ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nëse i akuzuari Murat Jashari tregon se kush e ka shtyrë ta sulmojë ai do të heqë dorë nga ndjekja penale kundër tij. 

“Siç thashë atë ditë, mbetet e hapur ajo që nëse ky tregon se kush e ka shtyrë, unë çka mund të bëj në fjalën përfundimtare është se nuk do t’i bashkëngjitem ndjekjes penale”, shtuar ai.

Ndërkohë, edhe kësaj here kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve që gjenden nën masën e  paraburgimit u refuzuan nga Gjykata me arsyetimin se ende nuk kanë pushuar arsyet e ndërprerjes së masës së paraburgimit ndaj këtyre të akuzuarve. Seanca e radhës do të vazhdojë të mërkurën me dëgjimin e ekspertëve, të cilët do të dëshmojnë rreth gjendjes mendore të të akuzuarit Murat Jashari.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 shkurt 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasi i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017 e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës, në orën 12:00 të mbrëmjes, ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “Hakmarrje në ndihmë” nga Neni 396 i KPRK-së. Llumnica sipas kësaj aktakuze sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më 16 maj 2017, thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N. Z., duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral. 

Sipas akuzës, Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Llumnica akuzohet për veprën penale “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit, Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit” me të ashtuquajturin “Avni Rrustemi” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose të shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.