“Korriku fatal”, shtatë persona humbën jetën në aksidente trafiku

Kronika July 16, 2018 - 09:45
Lexoni më shumë detaje

Shtatë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku vetëm në dy javët e para të këtij muaji. Ndërsa që nga janari deri më tani në Kosovë në aksidente trafiku kanë gjetur vdekjen rreth 60 persona e mbi pesë mijë të tjerë janë lënduar. Gjatë kësaj periudhe kohore Policia e Kosovës ka shpërndarë afër 190 mijë tiketa, ekspertët e sigurisë kanë konsideruar se duhet të merren masa të tjera për parandalimin e “vrasjeve në komunikacion”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

D. F., 43 vjeç nga Ferizaj, ditën e djeshme ka humbur jetën në një aksident komunikacioni në afërsi të udhëkryqit të magjistrales Ferizaj - Gjilan, duke u bërë kështu edhe viktima e shtatë që vetëm në muajin korrik ka gjetur vdekjen në komunikacion.

Ky muaj ka qenë fatal edhe për pesë anëtarë të një familjeje me banim në Zvicër, të cilët më 8 korrik aksidentalisht u përplasën me një autobus në rrugën Duhël - Suharekë. 

Po atë ditë viktimë trafiku ishte edhe një këmbësore femër në Shtime.                                           

Sipas statistikave që Policia e Kosovës ia ka dërguar Zërit, që nga janari deri në qershor të këtij viti 52 persona kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, ndërsa 5.629 janë lënduar. 

Po ashtu vetëm gjatë kësaj periudhe kohore Policia e Kosovës ka shqiptuar 184.801 gjoba. 

Por pavarësisht rritjes së gjobave për kundërvajtësit në trafik numri i aksidenteve vazhdon të jetë i madh. 

Kështu së paku ka thënë eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi  për gazetën Zëri

Sipas tij, duhet të studiohen statistikat e aksidenteve dhe pastaj të shihet se çfarë masash duhet të ndërmerren për parandalimin e tyre.

“Mendoj që Policia në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me gjyqësinë, por edhe me shërbimet në nivel qendror dhe atë lokal duhet t’i shqyrtojnë shkaktarët të cilët po sjellin deri te këto pasoja të fatalitetit. Kjo është shumë shqetësuese pavarësisht masave që janë ndërmarrë, ka ngritje të numrit të aksidenteve, atëherë duhet që Policia të shikojë se çfarë duhet të bëhet në këtë situatë që t’i parandalojë aksidentet në trafik”, ka thënë ai.   

Ibishi ka theksuar se përveç gjobave ka edhe masa të tjera, të cilat mund të parandalojnë numrin e madh të aksidenteve.

“Unë kam qenë njëri ndër hartuesit e ligjeve për trafikun rrugor në Kosovë dhe ne kemi menduar se me ashpërsimin e masave do ta ulim numrin e aksidenteve dhe shqetësimi ynë është që në këtë drejtim duhet t’i shohim faktorët që po ndikojnë në ngritjen e fatkeqësive dhe të merren masa parandaluese, nuk është vetëm aspekti i gjobave, por ka edhe faktorë të tjerë si shenjat në trafik, horizontale dhe vertikale, pastaj përmirësimi i kushteve të rrugëve dhe prezenca e Policisë në akse rrugore”, ka thënë ai.

Ekspertët e sigurisë: Masat ndëshkuese, joadekuate

Eksperti i sigurisë Drizan Shala ka thënë për gazetën “Zëri” se masat ndëshkuese për kundërvajtësit në trafik nuk janë adekuate, andaj edhe sipas tij ato nuk janë duke treguar rezultatet që janë pritur.

“Sektori politik i Kosovës nuk është marrë me anën preventive të këtij fenomeni, por vetëm me anën represive, e cila nuk është duke treguar rezultatet e pritura, kjo për arsye se masat ndëshkuese janë tejet joadekuate, sepse prapëseprapë nuk po ndryshohet vetëdija te ngasësi i makinës, por vetëm ajo formula ‘mos të më kapë polici në kundërvajtje’”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se shkaktari kryesor i aksidenteve është vetë faktori njeri, ndërsa sipas tij faktorët e tjerë janë edhe kushtet teknike të veturave, si dhe rrugët e vjetra.

“Në 90% të aksidenteve kemi të bëjmë me shkaktarin njeri, i cili nuk ka aftësitë e duhura në ngasje të makinës në shpejtësi, ndërsa 5% janë kushtet teknike të automjeteve e këtu duhet që në rast aksidenti të gjobitet edhe kontrollimi teknik, i cili e ka lejuar një makinë të dalë në qarkullim pa i plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara sipas Ligjit mbi Komunikacionin dhe 5% të tjera janë edhe rrugët e vjetra, që nuk plotësojnë standardet e nevojshme që të ketë lëvizje të automjeteve në ato rrugë”, ka theksuar ai.

Edhe pse konsiderohet se qytetarët janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve, eksperti i sigurisë Nol Dedaj rritjen e gjobave e ka konsideruar si joefektive për zvogëlimin e numrit të aksidenteve.

“Gjobat e larta janë të pazbatueshme për shkak se qytetarët nuk i paguajnë. Për shkak të mospagesës së gjobave sot qytetari i Kosovës mund të arrestohet në kufi si një kriminel, pra kjo pasqyrë tregon se si funksionon siguria rrugore në shtetin tonë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Dedaj ka thënë se qytetarët duhet të njoftohen për vendet të cilat janë me rrezikshmëri më të lartë për aksidente.

“Meqë jemi në sezonin e verës dhe rritet numri i automjeteve, atëherë duhet të kemi kujdes të veçantë të identifikimit të vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe t’i informojmë pjesëmarrësit në rrugë përmes formave të ndryshme, siç janë: fletushkat, radiot, spotet e ndryshme, pikat fikse dhe mobile të matjeve të shpejtësisë, identifikimi i automjeteve që teknikisht nuk janë në rregull etj.”, ka thënë ai.

Klinika Emergjente, më e ngarkuar në stinën e verës nga aksidentet

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK), Basri Lenjani, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se gjatë stinës së verës kjo Klinikë është më e ngarkuar qoftë nga pacientët me sëmundje, qoftë nga ata me lëndime që marrin nga aksidentet.

Sipas tij, për shkak të mungesës së disa specialistëve në spitalet regjionale edhe disa qytetarë që aksidentohen në qytetet e tjera referohen për trajtim në Klinikën Emergjente në Prishtinë.

“Rastet e aksidenteve në komunat e tjera i dërgojnë në spitalet regjionale, kur mungon specialisti ato i dërgojnë në Emergjencë, aty ku nuk kanë neurokirurgji, kirurgji vaskulare, urologji dhe kirurgji torakale, ndërsa rastet e tjera i mbulojnë. Është vera dhe është më e ngarkuar për shkak se vijnë qytetarë edhe nga diaspora dhe rritet popullimi qoftë për sëmundje, qoftë për lëndime”, ka thënë ai.

Lenjani ka theksuar se qytetarët duhet të jetë më të kujdesshëm gjatë vozitjes në këto ditë të nxehta.

“Shpresojmë që edhe ne, edhe ata që vijnë nga diaspora të vetëdijesohemi dhe t’i ikim shpejtësisë. Është problem global, tetë deri në dhjetë milionë persona në botë vdesin nga aksidentet, numri është i madh. Ne si popull jemi në numër më të vogël, por për ne nuk duhet të jetë numri i aksidenteve kaq i madh. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në këto ditë të nxehta, të mendojnë për vetveten, për familjen dhe për pasagjerët”, ka thënë ai.