Arrestohen dhe më pas lirohen pesë serbë, që kërcënuan pjesëtarë të FSK-së

Kronika July 11, 2018 - 07:57
Lexo detajet

Pesë serbët, shtetas të Republikës së Kosovës të arrestuar mëngjesin e së martës, dyshohen për sulm ndaj rendit, si dhe kanosje e shantazh ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Arrestimi i tyre ka ngjallur reagime të ashpra të zyrtarëve serbë në Beograd, të cilët kanë kërcënuar me ndërprerje të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nëse të njëjtit nuk lirohen deri në mbrëmje. Mirëpo nuk ishte nevoja të pritej mbrëmja, menjëherë pas intervistimit të tyre nga ana e prokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjilan pesë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mëngjesin e së martës Policia e Kosovës ka prangosur pesë persona të nacionalitetit serb nën dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se pesë të arrestuarit janë nga rajoni i Gjilanit. “Sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit.

Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k) nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Policia.

Menjëherë pas arrestimit të tyre ka pasur raportime të ndryshme në mediet serbe se arrestimi po bëhet kundër ish-pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mirëpo, Policia e Kosovës ka demantuar raportimin e këtyre mediumeve, duke i quajtur spekulime dhe të pavërteta.

Policia ka garantuar të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe në legjislacionin në fuqi.

Megjithatë, pa kaluar ende 24 orë pesë serbët e arrestuar pas intervistimit të tyre janë liruar në procedurë të rregullt nga prokurori i çështjes në Prokurorinë Themelore në Gjilan. 
Kryeprokurori: Të dyshuarit shantazhonin zyrtarë të FSK-së 

Lirimin e tyre kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, e ka arsyetuar, duke thënë se të njëjtit janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe është konstatuar se mund të lirohen në procedurë të rregullt.

“Ata janë qytetarë tanë, gjithçka mund të supozohet, mirëpo ne kemi ardhur në vlerësim se me këto prova që kemi siguruar ata mund të jenë në procedurë të rregullt”, ka thënë Maloku.

Kryeprokurori Maloku ka pohuar se pesë të arrestuarit dyshohet se kanë shantazhuar dhe kanë kanosur pjesëtarë të FSK-së.

“Është bërë kontrolli dhe bastisja e shtëpive dhe objekteve përcjellëse për pesë të dyshuarit me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Të njëjtit janë dyshuar për sulm ndaj rendit, si dhe kanosje e shantazh, është fjala për shantazh ndaj personave zyrtarë pranë FSK-së. Të njëjtit pas bastisjeve dhe kontrollit janë sjellë në stacionin policor në Gjilan, janë intervistuar dhe pas intervistimit dhe dëgjimit të tyre të njëjtit me urdhër të prokurorit janë liruar në shtëpitë e tyre”, është shprehur kryeprokurori Maloku.

Sipas tij, në shtëpitë e pesë të dyshuarve janë gjetur dhe janë konfiskuar armë dhe fishekë.

“Gjatë bastisjeve janë gjetur disa materiale, mes tyre ka pasur pak fishekë dhe një armë. Ne do të bëjmë ekzaminimin e materialit që kemi konfiskuar, si dhe të fishekëve e të armëve dhe do të vendosim në procedurë të rregullt të hetimeve”, ka pohuar Maloku.

Veseli: Institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka quajtur të papranueshëm kërcënimin e pjesëtarëve serbë të FSK-së. Veseli ka thënë se me arrestimin e të dyshuarve institucionet e ndjekjes kanë përmbushur detyrën e vet në mbrojtjen e sigurisë së vendit.

“Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm. Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata. Sot institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe të rendit”, është shprehur Vesli.

Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës, sipas kryeparlamentarit të vendit, janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, të interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshëm për dialog dhe fqinjësi të mirë, duke shtuar se çdo provokim nga Serbia që e lëndon këtë proces nuk u kontribuon interesave të të dyja vendeve, të cilat synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan.

Arrestimi i pesë serbëve të Kosovës ka ngjallur reagime të ashpra te zyrtarët serbë në Serbi. 

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që deri në mbrëmje t’i lirojnë pesë serbët e arrestuar në rajonin e Gjilanit.

Gjuriq ka kërcënuar se nëse këta persona nuk lirohen deri në mbrëmje, atëherë nuk do të ketë dialog për një kohë shumë të gjatë, duke shtuar se pesë serbët e arrestuar janë të pafajshëm dhe ata vetëm e kanë shprehur publikisht se janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.