60 të vdekur në aksidente komunikacioni për 6 muaj

Kronika July 10, 2018 - 09:45
Mësoni më shumë detaje

Rruga magjistrale Duhël - Suharekë u kthye në mort për pesë anëtarët e familjes Sadikaj nga Sopia e Suharekës. Jo vetëm kjo rrugë, por edhe shumë të tjera janë kthyer në tragjedi për shumë familje kosovare si pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit nga vozitësit. Policia apelon për rritje të kujdesit, në anën tjetër njohës të çështjeve të sigurisë kërkojnë rritje të masave nga autoritetet përgjegjëse e sidomos gjatë muajve të verës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 60 persona kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, por edhe shumë të tjerë janë lënduar lehtë e rëndë.

Të dielën në magjistralen Duhël – Suharekë në një aksident të rëndë komunikacioni 5 persona të familjes Sadikaj nga Sopia e Suharekës kanë mbetur të vdekur në vend.

Po ashtu në të njëjtën ditë me familjen Sadikaj një person tjetër humbi jetën si pasojë e aksidentit në trafik në Shtime.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se rreth 60 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shkruan më tutje "Zëri".

Policia e Kosovës ka pohuar se me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes për një kujdes më të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik në vazhdimësi ndërmerr veprime policore, të cilat kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik.

Sipas Policisë, gjatë këtij gjashtëmujori është evidentuar rënie e aksidenteve fatale për 19,61% dhe rënie në total të aksidenteve prej 13,25%, shqetësuese ende mbetet humbja e vetëm edhe një jete në trafik.

Policia e Kosovës bën thirrje te të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti te drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore.

Policia ka bërë të ditur se vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit, duke paralajmëruar pjesëmarrësit që bien ndesh me rregullat në trafik për masa ndëshkuese ligjore. Njohësit e çështjeve të sigurisë pohojnë se nuk është bërë as sa duhet nga ana e institucioneve gjegjëse për parandalimin e aksidenteve.

Islami: Vrasësit numër një në Kosovë janë aksidentet

Njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami pohon se për parandalimin e aksidenteve nuk po mjafton vetëm rritja e gjobave ndaj shkelësve të ligjit të komunikacionit.

Ai shpreh shqetësimin se me rritjen e numrit të qarkullimit të veturave që bëhet gjatë sezonit të verës me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovës rritet edhe numri i aksidenteve.

Sipas tij, aksidentet janë faktori numër një i vdekjeve në Kosovë që nga paslufta.

“Jo vetëm tash, por që nga përfundimi i luftës dhe me rritjen e numrit të automjeteve në Kosovë vrasësit numër një në Kosovë janë ndeshjet me fatalitet në komunikacionin rrugor. Janë bërë disa përpjekje në plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Komunikacionin, që ky i fundit dukej se ka dhënë rezultatet e para duke ndërmarrë masa preventive dhe represive për parandalimin e ndeshjeve qoftë me lëndime ose me fatalitet. Mirëpo duket që në 6-mujorin e parë nuk po mjafton vetëm rritja e gjobave si masë parandaluese. Tash me ardhjen e mërgimtarëve dhe me rritjen e automjeteve në komunikacion po del që numri i aksidenteve është rritur dhe do të rritet derisa mërgimtarët të jenë në territorin e Kosovës”, është shprehur Islami.

Ai thotë se duhet të ketë masa më rigoroze nga Policia ndaj vozitësve, duke shtuar se duhet të rritet numri i policëve rrugorë dhe të bëhet vendosja e radarëve në vende të fshehta.

“Nuk vërehet një efikasitet, një prani më e madhe e policëve rrugorë. Policët rrugorë duhet të kenë më shumë angazhim në forma të ndryshme dhe kësisoj besoj se do të zvogëlohej numri i ndeshjeve në komunikacion”, thotë ai.

Faktor tjetër që po ndikon në rritjen e aksidenteve fatale, sipas tij, është jopërqendrimi i duhur i vozitësve dhe përdorimi i alkoolit dhe i drogave.

Po ashtu sipas Islamit edhe struktura rrugore dhe mosvendosja e sinjalistikës në disa vende në mënyrë që paralajmërimi të jetë më i madh për vendet e rrezikshme janë faktorë që ndikojnë në rritjen e aksidenteve fatale.

"Konkretisht në vendin e Duhlës unë nuk vërej një paralajmërim të hershëm për rrezik në rrugë. Vazhdimisht ku ka kthesa të rrezikshme me kilometra të tregohet se në atë rrugë kanë ndodhur vdekje dhe se vazhdimisht i ekspozohesh rrezikut. Duhet që mekanizmat përgjegjës të jenë më aktivë dhe të punojnë më tepër që në aspektin psikologjik të informohen vozitësit që në vende të caktuara t’u bëhet me dije se janë në rrezik për aksidente”, ka pohuar Islami.

Shala: MPB-ja dhe MTI-ja të krijojnë radar statik

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet të krijojnë radar me fotografim për thyesit e ligjit në komunikacion. Kështu pohon eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

“Duhet që MPB-ja dhe MTI-ja të krijojnë radar statik, ose siç quhet (Bliz me fotografim), ku kryesi i ligjit mund të identifikohet dhe t’i shqiptohet edhe masa edukative ndëshkuese, por edhe të parandalohen aksidentet në atë pikë, e cila konsiderohet si problematike dhe kështu të kemi policë të mjaftueshëm që do të mundë t’i mbulojnë rrugët e tjera të territorit të Kosovës”, ka thënë Shala.

Ligji i ri mbi Komunikacionin, sipas Shalës, ishte i efektshëm vetëm për një periudhë kohore. Ai pohon se Policia është hallka e fundit e këtij problemi.

“Sa i përket Ligjit të ri mbi Komunikacion mund të them që efekti i tij ishte vetëm për një interval të shkurtër kohor. Sepse masat më të cilat sanksionoheshin shkelësit e komunikacionit nëse bëhet komperacioni me ligjin e vjetër kemi një shumëfishim të shkalles së dënimit, e cila në raport me standardin jetësor mbetet jonormale. Për të funksionuar një ligj edhe në praktikë duhet që kjo të trajtohet në aspektin psikologjik, e cila kryesisht fokusohet në nivelin e perceptimit dhe të pranimit të ligjit, që është në të mirën e tij personale, por edhe të asaj të përgjithshme. Policia është hallka e fundit, e cila është përball këtij fenomeni këto 3 vjetët e fundit”, ka thënë Shala.

Ndryshe, vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti janë shënuar 41 aksidente fatale, prej këtyre aksidenteve kanë humbur jetën 52 persona, ndërsa derisa numri i aksidenteve me të lënduar ka arritur në 2840, në këto aksidente janë përfshirë 5629 persona të lënduar.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin shënuar 51 aksidente fatale me 54 persona të vdekur, numri i aksidenteve me të lënduar në këtë periudhë ishte 2827, ndërsa numri i personave të lënduar kishte arritur në 5745 persona.