INTERPOL-i heq nga uebfaqja kosovarët e kërkuar

Kronika July 04, 2018 - 07:46
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Nga muaji prill i këtij viti asnjë nga personat e kërkuar me fletarrestime ndërkombëtare nga organet e drejtësisë kosovare nuk gjenden në faqen zyrtare të INTERPOL-it. Publikimi i fletarrestimeve ndërkombëtare të personave që janë në kërkim nga organet e shtetit të Kosovës në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare – INTERPOL, tash e tutje duhet të bëhet me kërkesë të veçantë. Ky vendim po vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohës të çështjeve të sigurisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ka dy muaj që emrat e personave të kërkuar nga organet kosovare për krime të ndryshme nuk gjenden në faqen zyrtare të INTERPOL-it.

Që nga muaji prill i këtij viti INTERPOL ka vendosur rregulla të reja për publikimin e urdhërkërkimeve ndërkombëtare në faqen tij publike, e cila tash e tutje duhet të bëhet me kërkesë të veçantë.  

LEXO EDHE: Marrëveshjet “sekrete” të Brukselit

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë gazetës “Zëri” se bashkëpunimi me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë ndryshim.

Po ashtu  sipas Kelanit nuk ka asnjë ndryshim në listën e personave të kërkuar nga Kosova me urdhërkërkim ndërkombëtar të shpallur përmes INTERPOL-it.

Ndryshimi i vetëm sipas tij është se tash e tutje publikimi i urdhërkërkimeve ndërkombëtare për personat të cilët janë në kërkim nga drejtësia kosovare duhet të bëhet përmes kërkesës së veçantë për secilin rast konkret.

“Nga prilli i këtij viti INTERPOL-i ka ndryshuar rregullat për publikimin e urdhërkërkimeve ndërkombëtare në uebfaqen publike dhe për publikim të çdo urdhërkërkimi ndërkombëtar për secilin rast konkret duhet një kërkesë e veçantë për publikim në uebfaqen publike të INTERPOL-it”, ka thënë Kelani.

Ai ka pohuar se për këtë çështje janë njoftuar edhe organet e drejtësisë vendore.

“Këto informacione përmes Ministrisë së Drejtësisë i janë përcjellë të gjitha gjykatave në Kosovë. Pra numri i personave në kërkim ndërkombëtar vazhdon të mbetet pa ndryshime, duke përfshirë edhe për personin e përmendur në kërkesën fillestare. I vetmi ndryshim është ndryshimi i procedurës së INTERPOL-it për publikimin në uebfaqe publike të saj”, është shprehur Kelani.

Ekspertë të fushës së sigurisë kanë qëndrime të ndryshme sa i përket këtij ndryshimi. 

Shala: Kosova të krijojë marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën e INTERPOL-it të Shqipërisë

Eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala duke shpjeguar këtë ndryshim thotë se çështja ka të bëjë se fletarrestimet kanë qenë publike deri para dy muajve, ndërsa tani vetëm me kërkesë të shtetit që e kërkon atë person mund të kërkohet të publikohet fletarrestimi. Sipas Shalës, çështja e mospublikimit të fletëkërkimeve për personat e kërkuar nga shteti i Kosovës në faqen zyrtare të INTERPOL-it mund të ketë efekte pozitive në kapjen e të kërkuarve. “Kjo është më mirë për arsye që në disa raste kur nuk është publike personi i kërkuar mund të ndihet i sigurt dhe të bëjë ndonjë gabim në vendndodhjen e tij dhe kështu arrihet të arrestohet”, është shprehur Shala. Megjithatë, edhe pse institucionet e sigurisë së Kosovës kanë krijuar kontakte bilaterale me institucionet tjera të vendeve mike të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës, Shala thotë se nëse nuk arrihet anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL këtë vit, atëherë do të duhej të krijohej një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën e INTERPOL-it të Shqipërisë dhe jo të vazhdohet me UNMIK-un. “Por Kosova nëse kësaj radhe nuk arrin të anëtarësohet në INTERPOL është mirë që në aspektin ligjor të krijojë një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën e INTERPOL-it të Shqipërisë dhe kështu të mënjanohet ndikimi i UNMIK-ut në këtë proces tejet të rëndësishëm, sepse në këtë formë në të Drejtën Ndërkombëtare prezenca e UNMIK-ut, një mision i tepërt pas shpalljes së pavarësisë, e cenon integritetin e institucioneve të sigurisë dhe të shtetësisë në përgjegjësi. Sepse kjo mënyrë e veprimit e këtij bashkëpunimi UNMIK - ILECU të PK-së reflekton që ende Kosova nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë anëtare e barabartë me vendet tjera”, ka pohuar ai.
Islami: Bashkëpunimi i organeve të Kosovës me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut nuk është i mirë
Në anën tjetër profesori i shkencave të sigurisë në Universitetin e Prishtinës Avni Islami insiston që publikimi i të kërkuarve të organeve të drejtësisë kosovare në faqen publike të INTERPOL-it do të ishte më efikas. “Unë mendoj se është më mirë të publikohen emrat e tyre e të mos fshihen, madje mendoj se emrat e tyre do të duhej të publikohen edhe në vende publike, siç janë aeroportet, stacionet të trenit e disa vende tjera të frekuentuara. Jam kundër asaj që të mos bëhet publik identiteti i personave që janë të kërkuar për vepra të ndryshme penale e të cilët do të mundë të jetonin në Perëndim pa problem”, është shprehur Islami. Ai pohon se mënyra e bashkëpunimit të organeve kosovare me INTERPOL-in përmes misionit të UNMIK-ut nuk është në nivelin e duhur. Islami ka thënë se bashkëpunimi i shtetit të Kosovës me organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare nuk do të duhej të vazhdohej përmes këtij misioni. “Mendoj se bashkëpunimi i organeve të Kosovës me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut nuk është i mirë. Sidomos pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut nuk do të duhej, meqë bashkëpunimi me INTERPOL-in do të vazhdonte përmes këtij misioni. Për shkak se ata deshën ose s’deshën thirren në Rezolutën 1244, ku edhe e kanë një bashkëpunim në mënyrë indirekte edhe me qeverinë e Serbisë, përpiqen të jenë neutralë, por nuk janë”, ka pohuar ai. 

Disa ditë më parë në një prononcim për gazetën “Zëri” zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ishte  shprehur i sigurt se gjatë këtij viti do të ndodhë anëtarësimi i Kosovës në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare - INTERPOL.

Hoxhaj kishte deklaruar se Qeveria e vendit ka konfirmimin nga një numër i madh i vendeve që do të përkrahin Kosovën në aplikimin për në INTERPOL.

Megjithatë as qeveria e Serbisë nuk po rri duarkryq sa i përket kësaj çështjeje, e cila është mobilizuar për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.