Aktakuzat e Gjykatës Specile, ky është lajmi i fundit

Kronika July 01, 2018 - 21:37
Lexoni më shumë detaje

Janë bërë pothuajse tre avite nga formimi i Gjykatës Speciale dhe një vit nga funksionalizimi i saj, mirëpo ajo ende nuk ka filluar me ngritjen e aktakuzave.

Megjithëse janë bërë paralajmërime të shumta për ngritjen e aktakuzave të para, ende nuk është bërë asgjë nuk këtë drejtim.

Megjithatë përveç Prokurorisë, askush nuk e di saktësisht se kur do të ngritën aktakuzat e para.

Avokati, Arianit Koci i cili është akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo gjykatë, ka thënë për Indeksonline se elementi i befasisë është një prej mjeteve të rëndësishme të Prokurorisë.

Sipas tij, nuk ka afate të caktuara dhe nuk dihet nëse do të jetë ky vit i ngritjes se aktakuzave, apo jo.

“Përveç Prokurorisë, askush nuk e di saktësisht se kur do të ngiten aktakuzat e para. Një është e sigurt, elementi i befasisë është një prej mjeteve të rëndësishme të Prokurorisë.

Prandaj, me funksionalizimin e Gjykatave, çdo gjë është e mundur. Nuk ka afat”, ka thënë Koci.

Në anën tjetër, intervistimi i dëshmitarëve tashmë ka filluar.

Indeksonline ditë më parë ka siguruar informata se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka nisur punën në terren dhe se tashmë një dëshmitar është intervistuar.

Sipas burimeve, dëshmitari është intervistuar në Belgjikë disa muaj më parë dhe se të gjitha shpenzimet e tij i ka marr përsipër Prokuroria.

Sa i përket kësaj, Koci thotë se hetimet janë të fshehta, prandaj edhe nuk dëshiron të spekulojë asgjë.

“Sa i përket dëshmitarëve, besoj që Prokuroria i kryen punët e veta, dhe marrja e dëshmive është një prej punëve kryesore të kësaj strukture. Hetimet prej vet natyrës së saj janë të fshehta, prandaj edhe nuk dua të spekuloj. T’i presim veprimet konkrete të Prokurorisë, dhe pastaj të analizojmë situatën. Spekulimet po krijojnë psikoza të panevojshme të një pjese të popullatës”, ka shtuar ai.