Kushtetuesja ua paguan kundërligjshëm punëtoreve pushimin e lehonisë

Kronika June 22, 2018 - 17:18
Lexo detajet

Gjykata Kushtetuese e ka shkelur ligjin e punës, kur ia ka paguar pushimin e lehonisë një zyrtareje më shumë se sa është e lejuar me procedura ligjore. Ndonëse me ligjin e punës, bëhet e qartë se gjashtë muajt e parë të lehonisë, nëpunësja paguhet nga institucioni me kompensim 70 për qind të pagës bazë, auditori ka gjetur rastin kur një e punësuar në këtë institucion ishte paguar më tepër se që i takon me ligj për 1 mijë e 135 euro, raporton Zëri.Info.

“Ne kemi identifikuar se një e punësuar gjatë shfrytëzimit të pushimit të lehonisë ishte paguar më tepër që i takon me ligj për 1,135€. Kjo si rezultat që të punësuarës ju kishte përllogaritur shtesa e aplikueshme në GJKK për pozitën Sekretare Ligjore”, theksohet në raportin e (ZKA)-së.

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm i mbipagesave në këtë institucion. Dy raste të njëjta i ka gjetur auditori gjatë monitorimit të punës së Gjykatës Kushtetuese për vitin 2017.

“Rastet e njëjta ishin edhe kompensimi i dy të punësuarave tjera në pushim të lehonisë (nga muaji nëntor 2017) të cilave ju kishte kompensuar edhe shtesa e aplikuar nga gjykata (5% e pagës bazë). Sipas kalkulimit të bërë nga ne, buxheti i GJKK-së nga aplikimi i këtyre shtesave është mbi-shpenzuar për 1,245€”, bëhet e ditur tutje.

Me mosndalimin e shtesave gjatë pushimit të lehonisë, dhe pagesat të cilat nuk janë në përputhje me vendimet e Gjykatës dhe ligjet në fuqi, auditori alarmon se dëmtohet buxheti i GJKK-së. /ZËRI/