Gjykata zvarrit për dy vjet lëndën për krim të organizuar

Kronika June 21, 2018 - 08:53
Mësoni më shumë shumë detaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lënë 2 vjet të bllokuar një lëndë, që ka të bëjë me krim të organizuar e që përfshin blerjen e 36 hektarëve të Komunës së Prishtinës dhe të Graçanicës, të privatizuar me çmime shumë më të ulëta sesa çmimi real i tregut. Nga viti 2017, kur ishte mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, nuk është mbajtur më asnjë seancë në këtë çështje penale. Në këtë rast janë të akuzuar zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-gjyqtarë, zyrtarë të AKP-së, avokatë, noterë e biznesmenë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Janë bërë rreth dy vjet qëkur është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar të dytë në rastin ndaj stërnipit të Hasan Prishtinës, biznesmenit Mehmet Prishtina dhe 23 të akuzuarve të tjerë për “Krim të organizuar”, “Shpëlarje parash”, “Nxjerrje të vendimeve të paligjshme gjyqësore”, “Shpërdorim të pozitës zyrtare”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Grabitje”.

Edhe pse në seancën e mbajtur në tetor të vitit 2017 në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbrojta e 24 të akuzuarve kishte paraqitur kundërshtimet e veta dhe kishte kërkuar që aktakuza të hidhet, që nga ajo ditë palët nuk kanë pranuar asnjë vendim rreth kërkesës së tyre nga gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra.

LEXO EDHE: Qeveria ende s’ia ka paguar 53 milionë euro 'Bechtel Enka'-s

Ky rast fillimisht ishte në duar të gjyqtarëve ndërkombëtarë, mirëpo në vitin 2017 ishte dorëzuar te vendorët dhe ashtu si te ndërkombëtarët edhe te vendorët mbrojtja e të akuzuarve kishte bërë të njëjtën kërkesë, hedhjen e aktakuzës, shkruan më tutje "Zëri".

Mirëpo as nga ndërkombëtarët e deri tash as nga vendorët mbrojtja nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke bërë që ky rast të mbetet pezull tash e dy vjet.

Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk japin asnjë arsyetim rreth zvarritjes gati dyvjeçare të këtij procesi gjyqësor.

Edhe pse rasti në fjalë ka të bëjë me “Krim të organizuar”, që është njëra nga veprat e shënjestruara nga gjykatat për liberalizimin e vizave, kjo Gjykatë nuk ka dhënë asnjë detaj për neglizhencën e këtij rasti kaq të madh.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, nuk ka dhënë ndonjë arsye konkrete rreth zvarritjes së këtij rasti, përveç asaj që shumë shpejt do të vendoset për këtë çështje penale.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se Gjykata së shpejti do të vendosë lidhur me këto çështje penale”, është shprehur Gashi.

Rrecaj: Janë bërë gati dy vjet që mbrojtja nuk ka marrë asnjë përgjigje

Mbrojtësi i Mehmet Prishtinës, avokati Tahir Rrecaj, i ka thënë gazetës “Zëri” se kjo lëndë ka gati dy vjet që është bllokuar dhe mbrojtja ende nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth kërkesës për hedhje të aktakuzës dhe nga tetori 2017 nuk është mbajtur më asnjë seancë në këtë rast.

“Është një rast ku hetimet kanë filluar gati para pesë vjetëve, ku janë të përfshirë 24 persona për prona, unë e mbroj Mehmet Prishtinën, as nuk thërrasin, as asgjë. Ne kemi bërë kërkesë për hedhje të aktakuzës te ndërkombëtarët, ata s’kanë marrë vendim, lënda është transferuar te vendorët, pas një kohe të gjatë është mbajtur seanca fillestare, ne kemi mbetur pranë atyre qëndrimeve që i kemi dhënë edhe para trupit gjykues ndërkombëtar, po presim vendim, por nuk ka”, ka thënë avokati Rrecaj.

Ai ka thënë se lënda si lëndë ka afër pesë vjet që ka nisur, duke përfshirë hetimin, ndërsa në Gjykatë ka më shumë se dy vjet që ka shkuar.

Sipas tij, edhe pse ka gati dy vjet që ka përfunduar shqyrtimi fillestar, mbrojtja ende nuk ka marrë asnjë vendim rreth kërkesës për hedhjen e aktakuzës.

“Jemi në pritje të vendimit, por koha është shumë e gjatë, është e pazakonshme. Kemi bërë kërkesën te ndërkombëtarët dhe të njëjtën e kemi vazhduar edhe te trupi gjykues vendor, por ende asnjë përgjigje”, është shprehur Rrecaj, duke shtuar se kjo zvarritje shkon në dëm të klientit të tij.

Në anën tjetër, monitorues të sistemit të drejtësisë pohojnë se zvarritje të tilla bëhen qëllimisht nga institucionet e drejtësisë e të cilat, sipas tij, janë të ndikuara nga politika.

Kalaja: Gjykatat nuk veprojnë sepse politika qëndron prapa këtyre vendimeve

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare Kundër Korrupsionit, pohon se është iluzion të pritet nga ana e institucioneve të drejtësisë që t’i marrin seriozisht çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, sidomos në rastet ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë politikë dhe individë e grupe të krimit të organizuar, të cilët janë të lidhur ngushtë me politikën.

Ai thotë se ky nuk është prioritet i sistemit të drejtësisë, sepse është një sistem i politizuar, prioritetet e të cilit i vendos politika në bazë të kalkulimeve të tyre ditore dhe interesave të politikës.

“Është iluzion që të mendojmë se sistemi i drejtësisë të funksionojë në bazë të Kushtetutës e pastaj të ligjeve të tjera që janë në fuqi, sepse pothuajse i gjithë sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe nga krimi i organizuar. Problemi i zvarritjes së lëndëve bëhet qëllimisht që të mos ketë vendime për individë, të cilët janë të rëndësishëm për politikanët që janë në pushtet”, shprehet Kalaja.

Ai ka thotë se nuk ka asnjë rast serioz në vitet e fundit jo vetëm në këtë lëndë, por në asnjë rast tjetër serioz ku Prokuroria dhe gjykatat kanë treguar sukses në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Kalaja pretendon se Prokuroria dhe gjykatat kanë arritur që personat e përfshirë në afera të ndryshme të krimit të organizuar dhe të korrupsionit t’i shpallin heronj publikë duke i vonuar seancat, duke i viktimizuar ata, duke u lënë hapësirë që të viktimizohen.

Ai ka pohuar se është iluzion që gjykatat të merren me këto raste seriozisht, sepse sistemi i drejtësisë është në dorën e politikës dhe sistemi aktual nuk mund të merret me këto raste.

“Gjykatat nuk veprojnë sepse politika është pas këtyre veprave dhe këtyre vendimeve. Nëse e shihni listën e gjerë për rastin e caktuar, i shihni emrat e të akuzuarve në këtë rast dhe atëherë mund ta keni përgjigjen pse Gjykata zvarrit këtë lëndë dhe pse nuk guxon të marrë vendime për këto lëndë”, ka thënë Kalaja.

Ndryshe, aktakuza është ngritur nga prokurori i EULEX-it Danilo Cecarell, i cili ngarkon 24 persona për “Tjetërsim të pronave të shtetit”. Në këtë aktakuzë janë të përfshirë zyrtarë të lartë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ish-gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, biznesmenë e zyrtarë komunalë.

Në aktakuzën e ngritur në mars të vitit 2016 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i akuzon 23 të pandehurit për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje dhe ndihmë e nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit në vazhdimësi”, “Plaçkitje”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit në vazhdimësi” dhe “Shpëlarje e parave në vazhdimësi”.

Pjesë e kësaj aktakuze janë: ish-gjyqtarja e Gjykatës Komunale në Prishtinë Nexharije Hoti, shefi i Departamentit Ligjor në AKP Reshat Fetahu, këshilltari ligjor i këtij departamenti Gani Ademi, avokati Avni Maxhuni, Isak Ademi noter, Albion Mulaku nëpunës në Bankën BKT, Xhabir Kajtazi përfaqësues ligjor në LLC, “Union” SHPK, biznesmeni Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Hamit Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, si dhe Bajram Gashi.