860 familje në Skenderaj jetojnë me social

Kronika June 14, 2018 - 08:03

Në komunën e Skenderajt 860 familje me 3.963 anëtarë marrin social, ndërsa 2.225 persona kërkojnë punë, shkruan Gazeta "Zëri".

Niveli i varfërisë në komunën e Skenderajt nuk është ulur dhe numri i familjeve që jetojnë me ndihma sociale akoma është i madh. Njerëz të vullnetit të mirë edhe këtë vit janë përkujdesur që për familjet me gjendje të rëndë sociale të sigurojnë të paktën nga një pako ushqimore për festën e Fitër Bajramit, por kjo nuk ka mjaftuar që familjet e varfra ta presin festën fetare pa u brengosur dhe pa u shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhen. Ndihmat sociale që marrin 3.963 persona në komunën e Skenderajt nuk u mjaftojnë atyre që ta “përthekojnë” muajin e lëre më të kremtojnë me sofrën plot.

Për këtë Bajram shoqata “Duart e Bamirësisë” ka shpërndarë 300 pako ushqimore për familjet në asistencë sociale, si dhe fabrika për përpunimin e drurit “Sharra” nga Vranidolli i Prishtinës. Kjo e fundit prej përfundimit të luftës për çdo festë Bajrami i gëzon me ndihma kryesisht me pako ushqimore nga 20 familje të varfra në komunën e Skenderajt.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, Osman Veliu, thotë se falë bashkëpunimit me shoqatën “Duart e Bamirësisë” Komuna ka arritur të shpërndajë pako ushqimore për 300 familje me gjendje të rëndë ekonomike e sociale nëpërmes Qendrës për Punë Sociale. Madje Komuna kësaj shoqate i ka dhënë edhe mirënjohje për kontributin, siç është thënë “në përmirësimin e gjendjes sociale të popullatës së Skenderajt”.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, Osman Veliu, ka precizuar se numri i familjeve që marrin ndihmë sociale në komunën e Skenderajt është 860 (dhjetor 2017). Sipas tij, 860 familjet në asistencë kanë 3.969 anëtarë dhe marrin gjithsej 90.802.50 euro në muaj. Në mesin e tyre 822 familje janë shqiptare, 27 serbe, 3 rome, 2 ashkalikle, etj. Në kategorinë e parë janë 659 familje, ndërsa në kategorinë e dytë 197 familje.

“Shërbimi i asistencës sociale angazhohet për implementimin e plotë të ligjit pa dallim religjioni, gjinie e nacionaliteti. Janë verifikuar dhe riverifikuar lëndët sipas riaplikimit të familjeve që realizojnë të drejtën në asistencë sociale dhe është arritur rezultat pozitiv”, ka siguruar Veliu. Ai ka shtuar se formë e veçantë e përkrahjes së nevojtarëve janë ndihmat momentale, të cilat ofrohen në raste të rënda dhe ndihmohen me ushqim e me barëra.

“Vetëm këtë vit janë ndihmuar me shumë se 30 familje nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale, si dhe përmes donatorëve të ndryshëm me pako ushqimore, pako higjienike dhe me veshmbathje mbi 50 familje”, ka thënë Veliu. Ai ka sqaruar se në kuadër të Qendrës për Punës Sociale të Skenderajt ndodhet e Shtëpia e të Moshuarve.

“Shtëpia e Komunitetit për Persona të Moshuar në Skenderaj është funksionale nga maji i vitit 2008 dhe në të aktualisht janë të strehuar 20 persona, aq sa është edhe kapaciteti i shtëpisë së të moshuarve. Nga ata 11 janë meshkuj dhe 9 femra, ndërsa mosha mesatare e tyre është 75 vjeç. Ka aty rezidentë nga Vushtrria, Mitrovica, Drenasi dhe nga Skenderaj. Të gjitha shërbimet për personat e vendosur aty janë pa pagesë”, ka sqaruar drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, Osman Veliu. Në raportin e drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt është paraqitur edhe gjendja e papunësisë.

“Shkalla e papunësisë në komunën e Skenderajt asnjëherë nuk është paraqitur zyrtarisht në mënyrë të saktë, sepse vetëm 2.225 persona janë paraqitur në Qendrën Komunale për Punësim në Skenderaj për të kërkuar punë. Prej tyre 829 janë femra, ndërsa meshkuj janë 1.396 veta”, precizoi ai./ZËRI