Fëmijët që jetojnë në tendë dhe s’kanë as ushqim

Kronika June 14, 2018 - 07:55
Lexo detajet

Pajazit Dugolli, nga fshati Nekoc i Drenasit, me dy fëmijët e tij jeton qe disa muaj në një tendë, ku janë të rrezikuar nga zvarranikët. Ata s’kanë as bukë për të ngrënë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me dërrasa e batanije Pajazit Dugolli është munduar që ta improvizojë një vendstrehim për të dhe dy fëmijët e tij.

Brenda tendës së ndërtuar në fshatin Nekoc të Komunës së Drenasit, ku tashmë dy muaj po jetojnë familja Dugolli, mungojnë edhe kushtet më elementare për jetë.

E për këto kushte shumë të vështira ka rrëfyer për gazetën “Zëri” kryefamiljari, i cili ka thënë se nuk është i aftë për punë dhe se e ka të vështirë t’u blejë fëmijëve ushqim dhe veshmbathje.

“Jam duke jetuar këtu qe dy muaj në kushte të këqija, nuk ka se si më keq, por kur nuk ka njeri më mirë s’kemi çfarë të bëjmë. Jam duke jetuar me dy fëmijë. Qe gjashtë vjet gruaja i ka lënë fëmijët dhe është larguar. Qe gjashtë vjet jam duke jetuar vetë me këta dy jetimë. Fëmijët shkojnë të dytë në shkollë, djali në klasë të parë dhe vajza në klasë të katërt. Ato 100 euro që i marr me i vesh e me i ble libra, me ble diçka për të ngrënë nuk kam”, ka thënë ai derisa ka treguar se për shkak të problemeve me tensionin dhe me boshtin kurrizor nuk është i aftë të punojë.

Megjithatë këtu nuk përfundojnë hallet e tij.

Frika nga gjarpërinjtë

Pajaziti po qëndron me net të tëra pa gjumë vetëm që t’i ruajë fëmijët e tij nga gjarpërinjtë, që mund të hyjnë shumë lehtë në shatorre.

“Më shumë po duhet të qëndroj zgjuar, fëmijët po flenë, unë po duhet të qëndroj zgjuar deri në mëngjes. Sytë po më dhembin pa gjumë. Po frikësohem po hyn ndonjë gjarpër ose diçka. Këta fëmijë po më dhimbsen, po i ha ndonjë gjarpër e s’ka me çka t’i dërgoj te mjeku”, ka rrëfyer ai.

Ndërsa tani që kanë filluar të ngrihen temperaturat ata e kanë edhe më të vështirë të qëndrojnë brenda në shatorre, kjo pasi që aty bën shumë vapë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mirëpo familja Dugolli nuk i gëzohet as shiut, pasi që në ditët me shi uji u hynë brenda në shatorre.

“Kam mjaft probleme. Shatorrja është grisur. Poshtë mbrapa hyn shiu dhe pik, por kur s’ka njeriu nuk ka se çfarë të bëjë. Këto kushte më keq nuk e di se si. Por po duhet të durojmë sa e ka shkruar Perëndia. Ndërsa tani të hysh për të qëndruar brenda është shumë nxehtë”, ka treguar ai.

Komuna s’i ndihmon

Pajaziti kishte kërkuar ndihmë edhe nga Komuna, mirëpo atë deri më tani nuk e ka ndihmuar askush.

Për më shumë, atë nuk po e ndihmojnë as vëllezërit e tij, pasi që as ata nuk kanë kushte ekonomike të mira.

Gjithçka çfarë ai dhe dy fëmijët e tij po kërkojnë është një shtëpi sado e vogël, ku do të jetonin pa frikë. “Për këtë shtëpi kush del të më ndihmojë do ta kisha falënderuar 100 mijë herë. Për këtë shtëpi më së keqi jam. Një dhomë, një dhomë, së paku rri rahat, rri pa u frikësuar, sepse këtu po frikësohem që ndonjë gjarpër po na hyn”, ka rrëfyer ai./ZËRI

Numri i kontaktit: 044 466 224

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image