Nga nesër 'paralizohet' Gjykata Kushtetuese

Kronika June 14, 2018 - 07:42
Lexo detajet

Që nga dita e nesërme (15 qershor) Gjykata Kushtetuese do të mbetet jofunksionale. Kjo pasi dy gjyqtarëve të këtij institucioni u përfundon mandati sot, ndërsa një gjyqtari i ka përfunduar më herët, ndërkohë që për të pasur kuorum për vendimmarrje nevojiten së paku shtatë gjyqtarë, nga nëntë sa ka Kushtetuesja. Kuvendi i Kosovës dështoi gjatë muajit të kaluar t’i zgjedhë tre gjyqtarët e rinj shqiptarë, më 22 maj ishte shpallur konkursi i ri për këto pozita, shkruan Gazeta "Zëri".

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se ky konkurs, në të cilin kanë aplikuar 16 persona, tashmë është mbyllur. Ndërkohë, intervistimi i tyre do të bëhet gjatë së mërkurës dhe së premtes së javës që vjen. Pavarësisht kësaj, njohësit e sistemit të drejtësisë konsiderojnë se puna e Gjykatës Kushtetuese do të “paralizohet” pas 15 qershorit, pasi nuk do të ketë mundësi për të marrë kurrfarë vendimi. Ata me këtë rast kanë vlerësuar se aktgjykimi i fundit i këtij institucioni (i cili konstatoi se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nuk është antikushtetues), është skandaloz dhe kontradiktor.

16 kandidatë, për 3 pozita në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Kushtetueses para dy ditësh ka shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve për tre anëtarë të këtij institucioni. Me këtë rast është bërë e ditur se intervistimi i tyre do të mbahet më 20 dhe më 22 qershor.

“Komisioni konstatoi se 16 të nominuarit i plotësojnë kushtet formalo-juridike për të qenë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Shqipe Pantina, nga ky Komision, është shprehur optimiste se zgjedhja e gjyqtarëve të rinj do të ndodhë shumë shpejt. “Procesi i zgjedhjes të tre anëtarëve të tjerë është në vazhdim, besojmë që në javën e ardhshme do të përzgjidhen kandidatët të cilët do të votohen në Kuvend. Është mbyllur konkursi, javën e ardhshme përfundon vlerësimi dhe intervistimi i tyre. Po shpresojmë që në javën e parë të korrikut të zgjidhen edhe tre anëtarët e tjerë”, ka potencuar ajo.

Haxhiu: Më mirë të jetë jofunksionale Kushtetuesja sesa të nxjerrë vendime të dëmshme

Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa mandat pas ditës së sotme. Por sipas saj, më mirë është që Kushtetuesja të jetë pa mandat fare sesa të marrë vendime në dëm të vendit.

“Të them të drejtën ndoshta është shumë më mirë të jetë jofunksionale sesa të nxjerrë vendime aq të dëmshme. Nuk e kam fjalën vetëm për vendimin e fundit, që natyrisht është skandaloz. Janë një sërë çështjesh që i kemi dërguar dhe Gjykata Kushtetuese është shprehur e pafuqishme në raport me lëndët për shkak të presioneve që ka pasur qoftë nga vendorët, qoftë nga ndërkombëtarët”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Duke folur rreth aktgjykimit të fundit që nxori Kushtetuesja, ku konstatoi se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, Haxhiu ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme.

Miftaraj: Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses, kontradiktor

Në anën tjetër Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se mungesa e kuorumit për vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese do ta bllokojë punën e këtij institucioni. “Mungesa e kuorumit pa dyshim se paralizon punën e kësaj gjykate dhe me këtë ka ndikim negativ në ofrimin e qasjes në drejtësi për qytetarët si e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë sikurse mund të ketë ndikim në procese të rëndësishme, që mund jenë me interes të përgjithshëm nëse mund të paraqiten pranë kësaj gjykate nga palët e autorizuara”, ka deklaruar ai.

Teksa ka folur mbi vendimin e fundit të Kushtetueses lidhur me rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, Miftaraj e ka cilësuar atë si një vendim kontradiktor në përmbajtje dhe në procedurë./ZËRI