Konfirmohet: Islam Pacolli ka sulmuar fizikisht oficerin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë

Kronika June 12, 2018 - 18:33
Lexo detajet

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci ka thënë për Insajderi, se deputeti i AKR-së, Islam Pacolli gjatë ditës së sotme e ka sulmuar fizikisht një oficer të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Borovcit, dyshohet se shkak për këtë rast ka ardhur për arsye se Pacolli ka refuzuar t’i zbatoj urdhërat e ligjshëm të dhënë nga oficeri policor.

LEXO EDHE: Flet Islam Pacolli, tregon se a u arrestua sot apo jo!

“Rreth orës 15:00 është raportuar se oficeri i sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë deri sa ka qenë në kryerjen e detyrës  është sulmuar nga një deputet. Deri te sulmi dyshohet të ketë  ardhur për shkak se deputeti ka refuzuar të zbatoj urdhërat e ligjshëm të dhëmë nga oficeri policor”, ka thënë Borovci për Insajderi.

Borovci ka shtuar se Policia e Kosovës nuk e ka arrestuar deputetin Islam Pacolli, por thotë se janë duke i hetuar rrethanat e rastit, dhe do përpiqen që t’i intervistojnë personat e përfshirë në rast, duke mos e përjashtuar edhe deputetin Pacolli.

“Policia ka filluar një hetim për sqarimin e  rrethanave të rastit, ka njoftuar edhe prokurorinë e shtetit i cili ka rekomanduar intervistimin e palëve të përfshira në rast.Oficeri policor ka deponuar deklarimin e tij e përderisa policia është në përpjekje për të kontaktuar edhe deputetin e involvuar në rast”, ka përfunduar Borovci.

Islam Pacolli, vëllau i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është njëri nga dy deputetët e AKR-së. Ai së bashku me Labinot Tahirin janë përfaqësuesit e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.