Helmim masiv nga ushqimi në Gjilan

Kronika June 12, 2018 - 08:34
Mësoni më shumë shumë detaje

Rreth 70 klientë të restorantit “Garden” në Gjilan pasi kanë ngrënë darkën e iftarit të premten e kaluar kanë përfunduar në spital. Dyshohet se të njëjtit janë helmuar nga ushqimi. Kryeprokurori i Gjilanit thotë se biznesi është mbyllur, përderisa drejtuesit e këtij të fundit e mohojnë një gjë të tillë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kanë agjëruar tërë ditën dhe në mbrëmje kanë shkuar për ta ngrënë darkën e iftarit në një restorant në Gjilan, por pasi kanë ngrënë ushqimin rreth 70 klientë të restorantit “Garden” kanë përfunduar në spital si pasojë e helmimit nga ushqimi.

Ngjarja ka ndodhur të premten e kaluar (më 8 qershor) dhe sipas Policisë së Kosovës, të gjithë të helmuarit nga ushqimi janë në lidhje familjare.

LEXO EDHE: Ushtria, përmes ligjit

“Momentalisht janë 31 persona të hospitalizuar dhe ekziston dyshimi se ata janë të helmuar. Pacientët janë në lidhje familjare, janë pjesëmarrës të iftarit të datës 8 qershor në restorantin ‘Garden’. Ditën e nesërme kanë ardhur 23 persona dhe kanë kërkuar mjekim, kurse më 10 qershor kanë ardhur edhe 46 persona të tjerë”, ka deklaruar për gazetën Zëridrejtori i Spitalit të Gjilanit, Nysret Hajrullahu.

Sipas tij, pacientët janë jashtë rrezikut dhe se për trajtimin e tyre janë kthyer edhe mjekët që kanë qenë në pushim vjetor.

LEXO EDHE: A është mbyllur restoranti në Gjilan ku u helmuan mbi 50 persona?

“Gjendja e pacientëve është stabile dhe nuk është asnjë në rrezik për jetë. Ne jemi të organizuar si shërbim ta pranojmë këtë numër të të sëmurëve. Edhe pushimet vjetore ua kemi ndërprerë mjekëve dhe ata kanë ardhur dhe kanë filluar të punojnë si pjesa tjetër e stafit. Jemi të furnizuar mirë me terapi, kështu që për momentin nuk është gjendja e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Policia po heton rastin

Zyrtarë në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se dyshohet që në restorantin “Garden” janë helmuar pacientët, të cilët pastaj kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan, ka thënë për “Zërin” se Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe se do të merren masa për çdo veprim të jashtëligjshëm në lidhje me këtë rast.

“Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin Sanitar. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i Shtetit dhe sigurisht do të ndërmerren të gjitha masat ligjore në rast se gjenden çfarëdo veprimesh të jashtëligjshme”, ka thënë ai.

Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje që të marrë përgjigje edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Kryeprokurori Maloku: Kemi mbyllur përkohësisht restorantin

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, ka thënë për “Zërin” se pas dyshimeve se pacientët janë helmuar në restorantin “Garden”, ai është mbyllur.

“Ne e kemi mbyllur përkohësisht atë restorant dhe njëkohësisht kemi marrë mostrat aty dhe i kemi dërguar në Prishtinë në laborator, jemi në pritje, të shohim se si do të dalin këto analiza, të cilat do të tregojnë nëse kanë qenë shkaku i helmimit të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë restorant punëtorët nuk guxojnë t’u shërbejnë asgjë qytetarëve derisa të konstatohet nëse pacientët janë helmuar aty.

“Ka dalë Inspektorati dhe kanë bërë konstatime bashkë me prokurorin dhe e kanë mbyllur restorantin. Ky restorant nuk punon për momentin. Ata munden të jenë aty, por nuk guxojnë asnjë qytetari t’i shërbejnë, restoranti s’mundet të jetë i hapur. Do të vazhdojë të jetë i mbyllur derisa të konstatohet gjendja e vërtetë rreth këtij rasti të helmimit të qytetarëve”, ka thënë ai.

Drejtuesit e restorantit: Po vazhdojmë punën

Pavarësisht deklaratave të prokurorit se ky restorant është mbyllur, përfaqësues të restorantit “Garden” në Gjilan e kanë mohuar një gjë të tillë.

Sipas tyre, restoranti vazhdon të jetë i hapur, ndonëse nuk shërbehet ushqim.

Pavarësisht dyshimeve se pacientët janë helmuar nga ushqimi i servuar në këtë restorant, përfaqësuesit e “Garden”-it nuk e kanë pranuar një gjë të tillë, duke thënë se kjo gjë është vetëm supozim.

“Është vetëm supozimi i tyre, ende nuk dihet asgjë, nuk ka dalë asnjë analizë.

Restoranti është i hapur, vetëm pa ushqim derisa të dalin analizat”, është thënë në një prononcim për “Zërin”.

Gazeta prapë gjatë ditës se djeshme ka kontaktuar me ta, por përgjigja e tyre ka qenë e njëjtë, “restoranti po vazhdon punën dhe po shërben vetëm pije”. 

Përndryshe, ditën e djeshme në vizitë të pacientëve, të cilët dyshohet se janë helmuar, ka shkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

“Sot unë së bashku me dy këshilltarë komunalë të Vetëvendosjes kemi shkuar në spital në Repartin e Infektologjisë. Atje janë të shtrirë 31 pacientë, të cilët janë helmuar në një iftar në restorantin ‘Garden’ në dalje të Gjilanit e që administrisht i takon Artanës, Novobërdës”, ka thënë ai.