Haxhiu: Gjykimi në mungesë, e vetmja mënyrë për drejtësi për krimet e luftës

Kronika June 11, 2018 - 14:39
Lexoni më shumë detaje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, gjatë një konferencë për medie ka folur për mungesën e drejtësisë për krimet e luftës të bëra në Kosovë nga ana e Serbisë.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për ti vënë para drejtësisë “kriminelët” serb, raporton zëri.info.

“Nuk ka asnjë dilemë që institucionet e drejtësisë kanë pasur të gjitha faktet dhe dokumentet për krimet e kryera në Kosovë dhe arsyeja pse nuk kanë vepruar është për shkak se nuk po mund të qasen ndaj këtyre personave dhe kjo është konsideruar si arsyetim i tyre ndonëse i pabazë nga ana jonë. Kjo është forma e vetme që ne ta adresojmë këtë problem”, tha Haxhiu, raporton "Zeri.info".

Haxhiu ka kërkuar që edhe në Kosovë të zbatohet gjykimi në mungesë pasi siç tha ajo në këtë mënyrë rregullohet drejtësia edhe në shume vende të BE-së.

“Ajo çfarë na duhet është mbështetja e deputetëve. Rezoluta që është miratuar në Kuvend është një dëshmi që nuk do të ketë pengesa sa i përket miratimit të këtij ligji. Nuk ka pasur vullnet nga institucionet tona dhe pengesa nga ndërkombëtarët. Ne kemi parë vendet e BE-së se si është e rregulluar kjo çështje dhe ka shtete që e kanë gjykimin në mungesë të lejuar andaj besojmë që përderisa nuk është vepruar deri tani kjo është forma e vetme për ta adresuar këtë çështje”, ka përfunduar ajo. /ZËRI/