Rreth 70 persona helmohen në një restorant në Gjilan

Kronika June 11, 2018 - 12:44
ALARMANTE!

Rreth 70 persona janë helmuar në një restorant në Gjilan, ku raportohet se ngjarja ka ndodhur gjatë një iftari  të premten që e lamë pas.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nysret Hajrullahu, i ka thënë “Zërit” se rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga data 8 qershor, me dyshimin se ata janë helmuar në restorantin “Garden” në Gjilan.

Sipas tij, personat janë në lidhje familjare.

“Momentalisht janë 31 të hospilatizuar por ekziston dyshimi se janë të helmuar. Pacientët janë në lidhje familjare, janë pjesëmarrës të iftarit të datës 8 qershor në restorantin Garden. Ditën e nesërme kanë filluar me ardhur 23 persona me kërkua mjekim, kurse me 10 qershor kanë ardhur edhe 46 tjera”, ka deklaruar Hajrullahu për “Zërin”.

Sipas tij, pacientët janë jashtë rrezikut, dhe se për trajtimin e tyre kanë ardhur edhe mjekët që kanë qenë në pushim vjetor.

“Gjendja e pacientëve është stabile, nuk është asnjë në rrezik për jetë, jemi të organizuar si shërbim me e pranua këtë numër të sëmurëve. Edhe pushimet vjetore ja kemi ndërpre mjekëve dhe ata kanë ardhur dhe kanë filluar të punojnë si pjesa tjetër e stafit. Jemi të furnizuar mirë me terapi, kështu që për momentin nuk është gjendja e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i këtij restoranti ka thënë për “Zeri.info”, se për momentin ky restorant nuk shërben ushqim për shkak të analizave që janë duke u bërë. 

“Këto janë vetëm supozime. Restoranti është i mbyllur për momentin për ushqim, pra nuk shërbejmë ushqim deri sa të dalin rezultatet e analizave. Shpresojmë që këto analiza të dalin sot pasdite apo nesër”, ka thënë ky përfaqësues. 

Ismet Hashani zëdhënës i Policisë rajonale në Gjilan ka thënë për “Zërin” se policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe se do të merren masa për çdo veprim të jashtëligjshëm në lidhje me këtë rast.

“Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me inspektoratin sanitar, për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe sigurisht do të ndërmerren të gjitha masat ligjore në rast se gjinden çfarëdo veprime të jashtëligjshme”, ka thënë ai.

“Zeri.info”, ka bërë përpjekje që të marrë përgjigje edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

“Zeri.info”, do t’ju mbaj të informuar për këtë rast.