Parandalohet arratisja nga burgu e Bedri Krasniqit

Kronika June 01, 2018 - 08:20
Lexo detajet

Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Rasim Selmani i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk ka pasur tentimarratisje. Selmani ka thënë se organet e Hetuesisë kanë zbuluar me kohë planin për arratisje, gjë që së sipas tij ka bërë të rriten masat përreth këtij burgu dhe nuk është mundësuar as të provohet arratisja. Njohës të çështjeve të sigurisë kërkojnë verifikim të vizitorëve dhe të stafit të këtij burgu, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për t’u arratisur nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyzë, ku po vuan dënimin prej 44 vjet burg për vrasjen e policëve dhe për kidnapimin e biznesmenit Azem Morina, Bedri Krasniqi ishte duke përgatitur një plan për arratisje nga aty.

LEXO EDHE: Skema e pastrimit të parave të politikanëve kosovarë

Por, ndryshe nga viti 2008 kur kishte arritur të arratisej nga Burgu i Dubravës, i gjithë plani që Krasniqi ishte duke e përgatitur për arratisje kësaj here i ka shkuar huq.

Kjo pasi agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës kishin mësuar për këtë plan para se ai të tentonte ta realizonte dhe për këtë kishin dyfishuar masat e sigurisë në Burgun e Dyzit.

Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Rasim Selmani i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk ka pasur asnjë tentimarratisje, por plan për arratisje, i cili plan është zbuluar nga organet e Hetuesisë, të cilat pastaj në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgut kanë rritur masat e sigurisë.

“Nuk ka pasur tentimarratisje. Asnjëherë nuk ka pasur tentimarratisje në këtë burg. Është çështje tjetër nëse ka informacione që mund të rrezikohet siguria dhe ne kemi obligim t’i ndërmarrim masat në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, por jo arratisje, sepse nuk ka pasur tentimarratisje”, ka thënë Selmani.

Ai ka thënë se masat e sigurisë janë ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë.

Sipas tij, Drejtoria e këtij burgu çdo ditë merr informacione dhe i trajton ato, si dhe varësisht prej situatave i ndërmerr edhe masat.

Por drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë përsërit se plani për tentimarratisje as që është provuar të realizohet ndonjëherë, sepse ishte zbuluar derisa po përgatitej. Nuk ka asnjë tentimarratisje nga asnjë i burgosur që ka tentuar të ikën nga burgu. Ne jo vetëm tash, por në vazhdimësi kemi pasur aksione të tilla, që atëherë kur ne e shohim të arsyeshme kërkojmë që të rritet niveli i sigurisë në një shkallë më të lartë prej asaj që është ditëve të zakonshme. Ne e kemi parë të arsyeshme se duhet të rriten masat e sigurisë dhe i kemi rritur. Ne pa informacione nuk i rrisim masat e sigurisë”, është shprehur Selmani.

Shala: AKI-ja duhet ta verifikojë çdo person që e viziton burgun

Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se Kosova ka arritur progres sa i përket sigurisë së burgjeve.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala pohon se Kosova ka arritur progres sa i përket sigurisë në burgjet e saja e në veçanti pas funksionalizimit të Burgut të Sigurisë së Lartë.

Sipas tij, ky investim ka krijuar një mundësi që organet për zbatues të ligjeve kanë mundësi të shqiptojnë dënime me karakter mbi 40 vjet dhe kështu të sigurohet e mira e përgjithshme e qytetarëve të saj.

Ai thotë se agjentët e Agjencisë Inteligjente të Kosovës kanë parandaluar tentim-realizimin e planit për arratisje nga Burgu i Sigurisë së Lartë.

“Por këtu kemi një element  për të veçuar, i cili ka ngritur të gjithë mekanizmat e sigurisë të jenë vigjilentë e ky element është puna operative që kanë zhvilluar agjentët e AKI-së, të cilët me marrjen e informacionit nëpër mjete të kanaleve të operatives ka ngritur alarmin në kohë dhe kështu është evidentuar i gjithë ky plan për arratisje të mundshme”, ka thënë Shala.

Ai thotë se sipas informacioneve zyrtare dhe deklarimit të ministrit të Drejtësisë për një arratisje eventuale nga Burgu i Sigurisë së Lartë e gjithë struktura e SHKK-së është ngritur në nivelin më të lartë, por gjithmonë duke i bashkërenduar punët me Policinë e Kosovës e në veçanti të njësive speciale të saj, e cila e ka pasur që të sigurojë parametrin e jashtëm në këtë “tentimarratisje”.

Për të parandaluar arratisjet e të burgosurve Shala thotë se institucionet e sigurisë, në këtë rast Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Policia e Kosovës duhet ta hartojnë një plan operativ në përgjegjësi për të gjitha burgjet e Kosovës, por në veçanti atë të Sigurisë së Lartë dhe kështu të evidentohet çdo tentimarratisje ose veprim kriminal.

Ai po ashtu thotë se AKI-ja duhet të angazhohet në verifikimin e çdo personi që e viziton Burgun e Sigurisë së Lartë dhe nëse ka dyshime që këta vizitorë mund të paraqesin rrezik për sigurinë t’u ndalohet hyrja në objektin e burgut.

Selimi: Nga ky burg s’mund të arratiset askush pa ndihmën e njerëzve brenda burgut

Zëvendëskryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi, thotë se faktori njeri është përgjegjës për çfarëdo arratisjeje që mund të ndodhë në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Selimi thotë se duhet të shfrytëzohet ky rast për të evidentuar çdo lloj të mete që ka ndodhur deri tash në këtë burg.

“Nëse bëhet fjalë për tentimarratisje nga Burgu i Sigurisë së Lartë dhe arratisja nuk ka ndodhur, atëherë nuk kemi çfarë të themi, sepse nuk ka arritur të dalë një tashmë i dënuar për krime, siç është Krasniqi. Duhet të shtohen masat, të shfrytëzohet ky rast për të evidentuar çdo lloj të mete që ka ndodhur, në rast se ka ndodhur që dikush është inkurajuar ta bëjë një gjë të tillë”, është shprehur ai.

Sipas Selimit, në Burgun e Sigurisë së Lartë nuk mund të ndodhë asnjë arratisje pa ndihmën e njerëzve brenda burgut.

“Unë mendoj se infrastruktura e Burgut të Sigurisë së Lartë mundëson që të mos arratiset askush, varësisht nga faktori njeri. Pra unë theksin nuk e vë te teknologjia, teknikat dhe infrastrukturat teknike, por te faktori njeri. Faktori njeri është përgjegjëse për çfarëdo lloj ikjeje nga ai burg, sepse investimi është i tillë sa që nëse nuk dështon faktori njeri edhe faktorët e tjerë përcjellës nuk mund të dështojnë”, thotë Selimi.

Ndryshe, Bedri Krasniqi kishte arritur të arratisej nga Burgu i Dubravës në vitin 2008 dhe gjatë kohës sa ishte në arrati kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, duke përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina më 21 shtator të vitit 2010.

Për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina Krasniqi ishte dënuar me 17 vjet burg.

Krasniqi ishte arratisur nga Dubrava derisa po vuante dënimin prej 27 vjetësh për vrasjen e Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt.

Po ashtu Bedri Krasniqi bashkë me grupin e tij akuzohen se më 23 mars 2004 kanë vrarë një pjesëtar të UNMIK-ut dhe një të Policisë së Kosovës, duke shtënë me kallashnikov drejt veturës së tyre 108 herë.