Rrëfimi për kosovarin që vrau ish-gruan e tij në Gjermani pasi asaj iu dha kujdestaria për fëmijët

Kronika May 30, 2018 - 16:08
Lexoni më shumë detaje

Në ditën kur një gjykatë gjermane vendosi që katër fëmijët e çiftit kosovarë t’i takonin në kujdestari nënës, 38-vjeçari i radikalizuar Anton Bajrami qëlloi për vdekjen ish-gruan e tij tetë vite më të re Emine Abazaj.

Jo shumë kohë më parë, para ndarjes së çiftit, i njëjti kishte provuar që t’i detyronte gruan dhe fëmijët e tij që të shkonin më të në zonat e konfliktit të Siri.

Express sjell rrëfimin e xhaxhait të viktimës nga fshati Drejë e Istogut. 

Pas 7 vitesh martesë, ndarja mes një çifti kosovarë që jetonin në qytetin Salzgitter të Gjermanisë, të hënën në mbrëmje, përfundoi me tragjedi. 

Anton Bajrami, një 38-vjeçar me prejardhje nga një fshat i Klinës, qëlloi për vdekje me armë zjarri ish-gruan e tij Emine Abazaj.

Çifti, prindër të katër fëmijëve, që prej tre muajsh nuk jetonin bashkë më, në ditën kur ndodhi krimi ishin takuar në një gjykatë lokale në Gjermani, në të cilën ishte vendosur që kujdestaria e fëmijëve t’i takojë gruas. 

Por kjo, po besohet të mos i ketë pëlqyer burrit të rritur në Gjermani, por që kishte bindje ekstremiste.

Ai, pak orë pas përfundimit të seancës, shkoi në shtëpinë e prindërve të ish-gruas së tij, ku tashmë po banonte kjo e fundit, dhe qëlloi atë për vdekje, derisa lëndoi edhe ish-kunatën e tij. 

E gjitha ngjarja ndodhi edhe në prani të fëmijëve të çiftit. 

Dy ditë pas këtij krimi, familja e viktimës 30-vjeçare, pjesëtarë të komuniteteve pakicë, në Kosovë ende nuk kanë hapur të pamën. 

Gazeta Express ka qëndruar në shtëpinë e xhaxhait të Emine Abazajt, Xhevdetit, në Drejë të Istogut. Ai ka rrëfyer se çka ka dëgjuar nga familjarët tjerë që ndodhen në Gjermani, për tragjedinë që i ndodhi mbesës. 

“Ata para nja dy tre muajve janë nda. Atë ditë kanë pas një seancë gjyqësore puna e fëmijëve. Aty është vendosë që fëmija me i taku me i majtë nana, e ai me i pa në dy javë. E fill qatë ditë ka ndodhë masnej vrasja”, ka rrëfyer Xhevdet Abazaj. 

Sipas tij, çifti kanë pasur që shumë kohë mosmarrëveshje që kishin çuar në ndarje, por edhe kërcënime. 

“Kërcënime ai ka bërë rregullisht. Po si kem marr fort seriozisht”, rrëfen xhaxhai i viktimës për Gazetën Express. 

E një prej problemeve që kishte çifti, prindër të tre vajzave dhe një djali, kishte qenë papunësia e burrit të dyshuar për vrasjen e gruas si dhe indoktrinomi i tij me ideologji të ekstremit islam. 

“Ai çdo vit jo osht shku në Meke. A ka shku aty a tjetër kun se dimë. Ka qenë në Shkup e në Gjermani s’di sa herë neper qeto grupe”, thotë ai, duke zbuluar se ish-dhëndri i familjes kishte provuar t’i bashkohej edhe ISIS’it, verën e kaluar. Flamurin e kësaj organizate terroriste, sipas mediave gjermane, Policia e gjeti në shtëpinë e kosovarit të dyshuar, pas arrestimit të tij.

“Ai vitin e kaluar ka provu me marr familjen, gjoja me shku në pushime në Turqi, e që aty me dal në Siri. Por s’ka arrit”, tregoi Xhevdet Abazaj, të mërkurën. 

“Me punu nuk ka punu, tan kohën ka nejt nëpër xhamia”, shton ai. 

Madje, sipas xhaxhait të viktimës, vrasësi i mbesës së tij që ishte ish-burri i saj, Anton Bajrami kohëve të fundit mbante edhe një emër tjetër. 

“E ka pas edhe një emër tjetër. E ka ndryshu emrin, që e kanë thirr, e ka ba emër mysliman si arab”, tregon Abazaj. 

I njëjti tregon se mbesa e tij e kishte lajmëruar policinë gjermane, të cilët i kishin parandaluar për të marrë udhëtimin për në xhihad që e kishte planifikuar ish-burri i saj. 

“Ajo nuk ka pranu me shku në Siri, me fëmijë në luftë nuk shkohet”, thotë ai. 

Mediat gjermane kanë raportuar se krimi ndodhi të hënën rreth orës 19:00 në qytetin gjerman Salzgitter.

I dyshuari, sipas tyre, kishte ardhur me veturën e tij, pranë shtëpisë së prindërve të viktimës nga ku e ka qëlluar me armë zjarrin në kokë, 30-vjeçarjen Emine Abazaj, e cila po qëndronte e ulur në një karrige pranë familjes së saj dhe katër fëmijëve. 

Viktima, sipas familjes, do të varroset në Kosovë, të dielën.