Dënohen me burg të akuzuarit për njehsorët elektrikë të KEDS-it

Kronika May 29, 2018 - 08:50
Lexoni më shumë detaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar pjesërisht dy të akuzuarit e rastit të njehsorëve elektrikë “Kohler” Vjollca Ajavazin dhe Avni Alidemajn me nga 6 muaj burgim me kusht për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Për veprën tjetër “Shkaktim i dëmit material ndaj konsumatorëve” Gjykata ka liruar nga aktakuza dy të pandehurit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka dhënë verdiktin e saj ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Kohler”, duke i shpallur pjesërisht fajtorë Vjollca Ajavazin dhe Avni Alidemajn, ndërsa për të akuzuarën tjetër Dita Hamitin Gjykata ka refuzuar aktakuzën.

Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” Gjykata shqiptoi dënim me burg të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 6 muajsh ndaj të akuzuarve Vjollca Ajavazi dhe Avni Alidemaj, i cili dënim sipas kryetarit të trupit gjykues Shashivar Hotit nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vjetësh.

LEXO EDHE: Apostolova: S’mjafton miratimi i ligjeve, duhen rezultate

Gjyqtari Shashivar Hoti tha se të akuzuarës Vjollca Ajvazi do t’i llogaritet edhe koha prej tre muajsh e kaluar në arrest shtëpiak nga 29 prilli i vitit 2015 deri më 29 korrik të po atij viti.

Gjykata liroi dy të akuzuarit Vjollca Ajvazin dhe Avni Alidemajn nga pika e dytë e aktakuzës, që ishte shkaktim i dëmit material konsumatorëve kosovarë, shkruan më tutje "Zëri".

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha po ashtu se Gjykata ka refuzuar akuzën ndaj të akuzuarës tjetër Drita Hamiti, kjo pasi prokurori i rastit kishte hequr dorë nga aktakuza kundër saj. Arsyetimin për këtë vendim gjyqtari Hoti tha se palët do ta marrin me shkrim.

Ndërkohë, prokurori Hivzi Bajraktari javën e kaluar gjatë deklarimit të tij në fjalën përfundimtare kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarës Drita Hamiti, e cila ngarkohej për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mashtrimit”.

Prokurori kishte thënë se heqja dorë nga ndjekja penale ishte bërë në mungesë të provave.

Berisha: Ishte një aktgjykim për t’i kamufluar dështimet e Prokurorisë

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit mbrojtësi i Avni Alidemajt, avokati Besnik Berisha, tha se kjo aktakuzë ka qenë një padrejtësi që i është bërë klientit të tij dhe të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

Ai tha se me dënimin e pjesshëm të dy të akuzuarve të këtij rasti Gjykata ka bërë një lloj kompromisi për dështimet e Prokurorisë në sigurimin e provave.

Ai tha se beson fuqishëm që me të mbërritur në Gjykatën e Apelit kjo lëndë do të prishet dhe do të vërtetohet e kundërta nga ajo çfarë të hënën Gjykata vendosi.

“Ne luftojmë për drejtësi dhe kjo nuk ishte drejtësi. Ishte një aktgjykim për t’i kamufluar dështimet e Prokurorisë, siç duket Gjykata zgjodhi një kompromis për të liruar për njërën pikë e aktakuzës, që ishte “Mashtrimi ndaj blerësve” dhe e shpalli fajtor klientin tim për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”, që absolutisht s’ka lidhje me detyrën zyrtare për lejimin e njësorëve apo jo, kështu që në një të ardhme jo të largët do të kemi një rezultat krejt tjetër”, u shpreh Berisha.

Duke folur për provat që janë shqyrtuar gjatë këtij procesi gjyqësor, avokati Berisha i quajti hajna të rrymës dëshmitarët e Prokurorisë.

“Prokuroria ka sjellë një varg hajnash të rrymës, ka çuar në ekspertiza njësorë për të cilët absolutisht nuk dihet as origjina se kush i ka marrë, as kush i ka eksportuar. Ky proces gjyqësor pavarësisht faktit se Prokuroria nuk kishte asnjë provë, automatikisht dërgon në rrëzimin e këtij aktgjykimi”, ka thënë avokati Berisha.

Gazeta “Zëri” kishte raportuar për këtë skandal

Gazeta “Zëri” përmes disa hulumtimeve nga 25 shkurti i vitit 2014 pati publikuar dëshmi rreth vjedhjeve me njehsorë elektrikë.

Njëzet muaj pasi që gazeta “Zëri” përmes një hulumtimi pati publikuar fakte se si KEDS-i përmes njehsorëve elektrikë digjitalë të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit turk “Kohler” po vjedh konsumatorët e vet, Prokuroria Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti për Krime të Rënda, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës Blerim Sokoli, si dhe dy zyrtarëve të kësaj Agjencie, Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti.

Pjesë e aktakuzës ishte Avni Alidemaj në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it, Ari Torosoglu menaxher i “Kohler”-it dhe Ali Akan, zëvendësdrejtor i rrjetit të KEDS-it.

Këta të fundit janë shtetas turq dhe të njëjtit janë shpallur në kërkim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Prokuroria kishte pretenduar se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor të 2014-ës të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke ua mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’u shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët Ajvazi dhe Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimin e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, të tipit digjital “AEL. TF.04-1”.

Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale pasi i njëjti nuk jeton më.

Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi.